AKTUALITET, 2 Qershor 2023, 19:08

Rama me kritika për qeverinë e tij, paralajmëron për mosrënien në “kurth”: Nuk jam i kënaqur! Ja si duhet vepruar në mandatin e tretë

Rama me kritika për qeverinë e tij, paralajmëron për

Kreu i ekzekutivit Edi Rama është ndalur sot në Tiranë, në vazhdën e turit të tij të falënderimeve pas fitores së 14 majit.

Ai ka evidentuar se harta e fitores ashtu siç tregon se njerëzit nuk e kanë humbur shpresën në këtë qeveri, është edhe sfiduese dhe mund të kthehet në problem pasi tregon se pritshmëritë janë të mëdha. Rama ka shtuar gjithashtu se është i vetëdijshëm që numri i atyre që janë shumë të kënaqur nga qeverisja e deritanishme janë të paktë.

“Nuk duhet të biem në kurthin e idesë që njerëzit janë të lumtur me ne, ajo hartë nuk është pasqyrë e lumturisë së popullit me ne. Edhe këtu në sallë nëse secili pyetet a është i kënaqur me qeverinë e bashkinë, besoj që numri i atyre që thonë janë shumë të kënaqur do jetë minimal. Unë vetë nuk jam shumë i kënaqur. Edhe unë kur votoj nuk votoj se jam shumë i kënaqur, por sepse duhet të vijohet kjo punë. Njerëzit kanë votuar edhe pse nuk janë të kënaqur, por besojnë që gjerat që ata presin të bëhen, jemi ne që mund t’i bëjmë dhe nuk janë të tjerët. Një gjë e veçantë është në këtë rezultat, që është edhe pjesa më e rëndë e rezultatit, që është pritshmëria. Në mes të mandatit të tretë, të kesh një pritshmëri kaq të madhe, është shumë sfiduese. Sigurisht është inkurajuese sepse tregon që njerëzit nuk kanë humbur shpresën tek ne, por pritshmëria e madhe mund të kthehet në problem të madh. Presin shumë, por mbase jo për një kohë të gjatë. E njëjta vlen edhe për bashkitë ku kemi fituar një mandat të dytë apo tretë”, u shpreh Rama.