BALLKAN, 26 October 2026, 15:27

Fituesit në Serbi/ Lideri i "Studentët Fitojnë," Srdanoviç: Kosova është pjesë integrale e jona! Asnjë parti s’ka të drejtë ta ndryshojë këtë

Fituesit në Serbi/ Lideri i "Studentët Fitojnë,"

Fitorja e Listës Studentore në zgjedhjet parlamentare në Serbi ka sjellë një përmbysje të madhe politike në Beograd, por të paktën për çështjen e Kosovës, drejtuesit e saj kanë paralajmëruar se nuk synojnë ndryshim të qëndrimit tradicional serb.

Ilija Srdanoviç, i cili kryesoi listën “Studentët fitojnë”, kishte deklaruar vetëm pak kohë përpara zgjedhjeve se qëndrimi i forcës së tij politike ndaj Kosovës përcaktohet nga Kushtetuta e Serbisë.

“Qëndrimi i Listës Studentore ndaj Kosovës përcaktohet nga Kushtetuta e Republikës së Serbisë. Kosova dhe Metohia janë pjesë integrale të vendit tonë”, deklaronte Srdanoviç në një intervistë për BBC News Serbia në shtator të këtij viti. 

I pyetur drejtpërdrejt nga gazetarja nëse ky qëndrim mund të ndryshonte, përgjigjja e tij ishte kategorike:

“Asnjë organizatë politike nuk ka të drejtë ta ndryshojë këtë qëndrim. Asnjëra!”

Srdanoviç kishte theksuar edhe gjatë fushatës se platforma e Listës Studentore mbështetet te Kushtetuta e Serbisë, të cilën e ka cilësuar si bazën dhe garancinë e programit të tyre.

Kështu, megjithëse fitorja e studentëve shënon një ndryshim të fortë politik pas viteve të dominimit të Vuçiçit, deklaratat e drejtuesit të listës tregojnë se për çështjen e Kosovës nuk pritet automatikisht një kthesë në politikën e Beogradit.