AKTUALITET, 26 October 2026, 21:08

“Rama sot është personifikim i së keqes”, Arlind Qori: Të rinjtë janë të vendosur për ndryshimin, masat e Ramës nuk do t'i ndalin

“Rama sot është personifikim i së keqes”, Arlind

Arlind Qori, kryetar “Lëvizja Bashkë”, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, u shpreh se Rama ka vendosur t’i përgjigjet protestuesve me mënyra policore dhe jo politike, duke refuzuar të japë dorëheqjen. Qori gjithashtu renditi rastet e dhunës policore ndaj protestuesve. 

“E kam nisur me një shprehje të Kennedy, ish presidenti i SHBA, që thoshte kush bën të pamundur revolucionin paqësor, bën të pashmangshëm revolucionin e dhunshëm. Kjo vlen edhe për Shqipërinë. Për katër muaj, dhjetëra mijëra shqiptarë kanë protestuar paqësisht. Kanë kërkuar dorëheqjen e Ramës. Ai nuk ka dëgjuar asnjë nga kërkesat, as për dorëheqje, por as ato specifike. Para disa javësh kur shkoi në SHBA, tha se projekti i Jared Kushner do të vijojë, sikur nuk ka ndodhur asgjë.  Po ashtu ligji 21/2024, për zonat e mbrojtura, ka thënë që nuk ka asnjë problem. 

Erdhën në tetor, kur u ezaurua protesta paqësore. Duke nisur nga studentët pati një radikalizim të protestës, të cilëve policia i është përgjigjur me dhunë shpërpjestimore. 

E para, goditja me plumb gome, dhjetëra raste që janë goditur qytetarët në trup dhe në kokë, madje edhe në sy, një qytetar rrezikon të humbë syrin. Është e ndaluar të gjuash me plumb gome mbi brez, me të gjitha konventat ndërkombëtare. Kam rastin e kolegut tim, Alfred Bushi që është mbajtur 72 orë në arrest, dëshmon se e kanë goditur disa herë me shpulla policë me maskë. E kanë goditur për shkak se ishte profesor, ka dëshmitarë, që i janë sulur kur kanë marrë vesh që ai është profesor. 

E treta, Rama në vend t’i përgjigjet politikisht krizës, ka zgjedhur si përgjigjet në mënyrë policore. Në vend që të japë dorëheqjen, Rama ka thënë që asgjë nuk marrim në konsideratë, por do të shtrëngojë darën policore. 

Nëse ndryshimet e tij ligjore hyjnë në fuqi, pamundësohet e drejta për çfarëdolloj proteste. 

Kam parë vendosmëri nga të rinjtë, këto masa të Ramës nuk do të kenë efektin e tyre të synuar. Është një rini, një popull, që kërkon ndryshim. Rama sot është përsonifikim i së keqes”- u shpreh Qori.