BOTA, 1 August 2026, 10:18

Tensionet SHBA-Iran përshkallëzohen/ Teherani kërcënon me sulme hakmarrëse ndaj infrastrukturës në Izrael dhe Gjirin Persik

Teherani kërcënoi në orët e para të mëngjesit se do të ndërmarrë sulme hakmarrëse ndaj infrastrukturës kritike në Izrael dhe në vendet e Gjirit Persik, pasi media amerikane raportoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po shqyrtojnë një ofensivë të re të gjerë kundër objektivave në Iran.

Agjencitë iraniane të lajmeve “Tasnim” dhe “Fars”, duke cituar burime të sigurisë, thanë se SHBA-ja duhet të jetë e vetëdijshme se, objektet energjetike me rëndësi globale në Arabinë Saudite dhe Katar, ndodhen brenda rrezes së raketave iraniane.

Sipas raportimeve, në shënjestër mund të jenë gjithashtu edhe objekte në Kuvajt dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Një zyrtar i lartë i sigurisë iraniane, i cituar nga “Tasnim”, deklaroi se është përgatitur një plan i plotë për kundërpërgjigje ushtarake.

Sipas tij, forcat iraniane kanë treguar tashmë aftësinë dhe vendosmërinë për të kryer sulme hakmarrëse.

Më herët, “CBS News” dhe “The Wall Street Journal”, duke cituar burime të njohura me çështjen, raportuan se presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e sulmeve të reja ndaj Iranit, të cilat mund të nisin që këtë fundjavë.

Sipas “CBS News”, edhe Izraeli mund të rikthehet në konflikt.

Izraeli dhe Irani shkëmbyen për herë të fundit sulme, në fillim të muajit qershor.

Ndërkohë, “Axios” raportoi se sulmet e reja mund të synojnë sërish infrastrukturën energjetike të Iranit.

Sipas raportimeve, Trump ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.

Gjatë një mbledhjeje të kabinetit dje në rezidencën presidenciale “Camp David”, Trump paralajmëroi se SHBA-ja mund të kryejë sulme të tjera ndaj Iranit.

“Do t’i godasim shumë fort”, tha ai, pa dhënë afat kohor apo detaje të tjera.

I pyetur për zhvillimet e mundshme gjatë katër javëve të ardhshme, Trump u shpreh: “Në një moment ata do të thonë: ‘Nuk mund ta durojmë më këtë”.