AKTUALITET, 3 November 2026, 15:26

Operacioni/ 4 mln euro dëm! Joshnin viktimat me fitime fiktive, çmontohet skema e mashtrimit financiar, 7 në pranga! SPAK e Policia e Shtetit, pjesë e ekipit ndërkombëtar

Operacioni/ 4 mln euro dëm! Joshnin viktimat me fitime fiktive,

Një operacion ndërkombëtar ka zbërthyer një skemë mashtrimi financiar përmes platformave online duke çuar në arrestimin e 7 personave.

Pjesë e operacionit të Europol dhe Eurojust ishin edhe SPAK e Policia e Shtetit.

Nga hetimet rezultoi edhe një kompani me bazë në Qipro e Izrael që furnizonte grupe kriminale me platforma mashtruese.

Sipas detajeve, janë sekuestruar mbi 100 serverë, janë kontrolluar 17 ambiente në disa shtete ndërsa dëmi financiar përllogaritet në mbi 4 milionë euro.

Njoftimi i plotë:

SPAK dhe Policia e Shtetit ishin pjesë e një operacioni të gjerë ndërkombëtar kundër një rrjeti kriminal të dyshuar për mashtrimin e qytetarëve në mbarë botën përmes platformave të rreme të investimeve online.

Rezultatet e operacionit të mbështetur nga Europol dhe Eurojust në disa vende të Europës:

• 7 persona të arrestuar.

• Mbi 100 serverë të sekuestruar.

• 17 ambiente të kontrolluara në disa shtete.

• Mbi 4 milionë euro dëme financiare të dyshuara.

Faza e fundit e operacionit vjen pas arrestimeve dhe kontrolleve të kryera në vitet 2022 dhe 2025, në kuadër të të njëjtit hetim ndërkombëtar.

Hetimet zbuluan edhe një kompani me bazë në Qipro dhe Izrael, e dyshuar se furnizonte grupet kriminale me platforma dhe faqe interneti mashtruese. Klientë të dyshuar të saj janë identifikuar edhe në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Atyre u premtoheshin fitime të mëdha nga investimet në kriptomonedha, valuta të huaja dhe aksione. Viktimat joshnin fillimisht me fitime fiktive, ndërsa më pas ushtrohej presion psikologjik për t'i bindur të investonin gjithnjë e më shumë para.

SPAK është pjesë e dy ekipeve të përbashkëta hetimore pranë Eurojust, njëri me Gjermaninë dhe Poloninë dhe tjetri me Kosovën.