TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një tragjedi është regjistruar në Messina të Italisë, ku shembja e një pallati ka lënë pas viktima dhe persona të zhdukur. Ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë nga rrënojat dy trupa të pajetë, ndërsa operacionet për gjetjen e personave të tjerë të bllokuar vijojnë pa ndërprerje.
Viktima e parë e identifikuar është biznesmeni Carmelo Leone, ndërsa gjatë natës zjarrfikësit kanë gjetur edhe trupin e pajetë të një gruaje.
Aktualisht vazhdojnë kërkimet për katër persona të tjerë që dyshohet se ndodhen ende nën rrënoja. Mes të zhdukurve janë dy motrat e biznesmenit, Sara dhe Rosa Leone, bashkëshorti i kësaj të fundit, Santino Magazzù, një punonjës shtëpie me origjinë nga Sri Lanka, Lhairu Warnakulasuriya, si dhe një punonjëse e një dyqani kinez, Alessandra Frazzica.
Tre persona të plagosur, një prej të cilëve në gjendje të rëndë, janë dërguar në Spitalin Universitar “Gaetano Martino” në Messina. Persona të tjerë të lënduar janë transportuar në qendra të ndryshme shëndetësore, por sipas autoriteteve nuk paraqesin rrezik për jetën.
Ndërtesa e shembur kishte ambiente tregtare në katin përdhes dhe në katin e parë, ndërsa kati i dytë përdorej si zonë banimi. Rreth 70 zjarrfikës janë angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit.
Zona përreth pallatit është rrethuar dhe është ndaluar qarkullimi për të lejuar ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës në kushte sigurie. Zjarrfikësit po punojnë prej orësh për të gjetur persona të gjallë nën rrënoja.
“Jemi ende larg 36 orëve kritike, që konsiderohen vendimtare pas një shembjeje. Ka ende mundësi për të gjetur njerëz gjallë”, deklaroi komandanti i zjarrfikësve Michele Burgio, i cili drejton operacionet.
Sipas tij, kërkimet po zhvillohen bazuar në dëshmitë e familjarëve dhe informacionet për vendndodhjen e mundshme të personave të zhdukur. Në terren po operojnë edhe ekipet speciale USAR, të trajnuara për kërkime dhe shpëtime urbane nën rrënoja, së bashku me qentë e kërkimit.
Pas shembjes, familjarët e të zhdukurve kanë bërë apel në rrjetet sociale që qytetarët të mos telefonojnë numrat e tyre, pasi bateritë e celularëve mund të jenë të nevojshme për lokalizimin e tyre.
Ndërtesa që u shemb në Messina ishte një objekt shumë i njohur në qytet, i ndërtuar në fund të viteve ’80. Bëhej fjalë për një pallat me katër kate, me një sipërfaqe prej rreth 2.500 metrash katrorë për çdo kat.
Objekti përbëhej nga një kat nëntokësor i përdorur si magazinë, një kat përdhes që ishte dhënë me qira për një kasap, i cili ndodhej në proces rikonstruksioni, si dhe një kat të parë ku funksiononte një dyqan i madh i menaxhuar nga shtetas kinezë.
Në katet e sipërme ndodheshin apartamentet e pronarëve të ndërtesës, ndërsa mbi to ishte një tarracë.
Sipas mediave italiane, është ende herët për të përcaktuar me siguri shkaqet e tragjedisë.
Sipas të dhënave paraprake, shembja mund të jetë paraprirë nga një dridhje e ndërtesës, çka do të përjashtonte mundësinë e një shpërthimi. Dyshimi kryesor lidhet me një dëmtim ose shembje të strukturës së objektit.
Zjarrfikësit kanë siguruar pjesët e mbetura të ndërtesës dhe kanë fikur edhe një vatër të vogël zjarri që shpërtheu pas shembjes.



