TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Përplasja e përfolur Rama-Veliaj pas transferimit në burgun e Fierit, ka rikthyer në qendër të debatit pyetjen se i kujt është mandati i kryetarit të bashkisë së Tiranës.
Ai u zgjodh herën e fundit në zgjedhjet e 11 majit 2023 me rreth 160 mijë vota të elektoratit të bashkisë së Tiranës.
Pikërisht këtu është edhe vega ku kapet kryetari i bashkisë së Tiranës për të mos dhënë dorëheqjen, dhe për t’ia kaluar mandatin një figure tjetër në PS, që duhet të drejtojë punët e bashkisë më të madhe të vendit, që ka mbetur realisht pa krytetar prej 10 shkurtit 2025 kur Veliaj u arrestua në mesditë në zyrën e tij nga agjentët e BKH-së.
Por kjo është edhe vega që nuk mban peshën e kryetarit të bashkisë. Sepse këtu nuk bëhet fjalë për të zgjedhur me vota, por të emëruar për të marrë vota.
Erion Veliaj dhe shumë figura të tjera të PS-së dhe PD-së nuk janë produkte të karrierës së tyre politike dhe të përkrahjes që morën nga elektorati si aktivistë të njohur politikë.
Në vitin 2009 Erjon Veliaj dështoi të zgjidhej deputet si kryesuesi i listës së G99, lëvizjes që garoi në aleancë me PS-në. Ky subjekt mori rreth 11 mijë pa mundur të nxjerrë një deputet, ose rreth 7 herë më pak se partia e Adriatik Lapajt një vit më parë. Kjo ishte një disfatë e rëndë personale për Veliajn që kishte udhëhequr protestat më domethënëse kundër qeverisë së drejtuar nga Fatos Nano në vitet 2000, si ato kur aktivistët e MJAFT-it visheshin si nuse për të tallur menderen me gruan e dytë e kryeministrit, Xhoanën, apo kur Veliaj dhe të tjerë mbanin mbi koka bidonat me ujë para bashkisë së Tiranës për të denoncuar mungesën kronike të furnizimit të kryeqytetit.
Ai u bë kryetar bashkie, vetëm pse Rama e hoqi nga ministër i Mirëqenies Sociale dhe e kandidoi dhe u desh edhe mbështetja e LSI-së së Ilir Metës që ai të fitonte përballë mjekut Halim Kosova.
Mandatet e tjerë shkuan për inerci dhe ecën në të njëjtën kurbë si fitoret elektorale të Ramës në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato vendore të këtyre 11 viteve të fundit dhe nuk kishin lidhje aspak me menaxhimin e bashkisë më të madhe të vendit, se po të ishte për këtë të fundit Veliajn do ta kishin marrë me hu.
Mandati i tretë i marrë nga Veliaj nuk ishte produkt i mirëqeverisjes së bashkisë, por i ecjes përpara, më me shumë shpejtësi të makinerisë elektorale që ka krijuar partia-shtet e Edi Ramës e cila 2 vite më parë merrte 53 bashki, ndërsa opozita ngushëllohej me 7 të tilla, periferike dhe pa peshë elektorale dhe ekonomike.
Ai ishte mandati i shkatërrimit të Tiranës, jo vetëm si imazh i pushtetit vendor, por themeleve të bashkisë, duke shërbyer si zbatuese e urdhrave, dëshirave dhe fantazive të kryeministrit për të rivizatuar kryeqytetin, ndërsa nga ana tjetër Veliaj dhe administrata e tij e shndërruan pushtetin vendor të financuar nga taksat e rritura dhe grantet e pakushtëzuara të qeverisë në biznesin e tyre privat me skema korruptive që vetëm SPAK nuk ka sy t’i shohë dhe t’i hetojë si inceneratori inekzistent, biznesi i dherave, dhënia e lejeve kriminale të ndërtimit në çdo bythë pallati ekzistues dhe qoshk me bar, ndërmarrjet e drejtorëve, taksa e ndikimit në infrastrukturë, taksa e arsimit, shkatërrimi edhe më tej i furnizimit me ujë, investimet fasadë që nuk zgjasin as një vit edhe pse kushtojnë shumë herë më shumë se pak vite më parë etj.
Do të mjaftonin këto më sipër që ai aktivsti I MJAFT-it i mëse 2 dekadave më parë të hapte krahun dhe të tërhiqej me turp nga mandati i tretë i të parit të kryeqytetit, duke kërkuar edhe ndjesën personale, pse i tradhëtoi kauzat dhe qytetarët sepse sot Tirana është kryeqyteti më u ndyrë dhe më i shtrenjtë në rajon, një fjetinë betoni ku askush nuk do të donte të çonte jetën dëm.
Dhe nëse nuk mjafton kjo, atëherë të kujtojë se sa i zoti ishte në vitin 2009 dhe deri ku shkoi pasi e emëroi Rama, që sot me të drejtë i kërkon mandatin që ia dha dhe ia çimentoi me makinerinë elektorale që ka ndërtuar këto 13 vite. Pastaj se kujt ia delegon Rama Hasanit, apo Hysenit, është njolla e turpit që kemi ngritur në sistemin politik 36-vjeçar, ku një njeri vendos se kush vdes, kush jeton, apo në cilën qeli duhet të vuajë ditë-netët e paraburgimit.