BOTA, 31 July 2026, 22:04

Papa Leone XIV miraton Kushtetutën e re të Vatikanit, ndryshime në drejtimin e institucioneve

Papa Leone XIV miratoi sot Kushtetutën e re të Shtetit të Vatikanit, duke zëvendësuar dokumentin themelor të miratuar nga paraardhësi i tij, papa Françesku, në vitin 2023.

Kushtetuta e re synon të përshtatë funksionimin e institucioneve të Vatikanit me ndryshimet e viteve të fundit dhe të modernizojë administrimin e shtetit më të vogël në botë.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me drejtimin e Komisionit Papnor, organi kryesor legjislativ i Shtetit të Vatikanit.

Sipas rregullave të reja, posti i kryetarit nuk do të jetë më i rezervuar vetëm për kardinalët, por mund të mbahet edhe nga persona që nuk kanë këtë status në hierarkinë e Kishës Katolike.

Kushtetuta e re zyrtarizon një rregull që papa Leone XIV e kishte vendosur tashmë në nëntor të vitit 2025.

Ndryshimi zgjidh edhe paqartësinë ligjore që u krijua në mars 2025, kur motra Raffaella Petrini mori drejtimin e guvernatoratit të Vatikanit dhe, automatikisht, edhe kryesimin e Komisionit Papnor, megjithëse nuk është kardinale.

Dokumenti i ri përbëhet nga 25 nene dhe përcakton më qartë kompetencat e guvernatoratit, mënyrën e bashkëpunimit ndërmjet drejtuesve të tij, si dhe rregullat për administrimin financiar dhe procedurat shtetërore.

Gjithashtu, dokumenti thekson pavarësinë e sistemit gjyqësor të Vatikanit.

Megjithatë, Kushtetuta konfirmon se apa, në cilësinë e sovranit të Shtetit të Vatikanit, vazhdon të mbajë autoritetin më të lartë legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, duke ruajtur strukturën tradicionale të qeverisjes së Selisë së Shenjtë.