BOTA, 31 July 2026, 22:14

Thatësira alarmon Hungarinë, mbyllet centrali bërthamor i Paksit

Hungaria do të ndërpresë përkohësisht funksionimin e centralit të saj të vetëm bërthamor, pasi niveli jashtëzakonisht i ulët i ujit në lumin Danub nuk garanton më ftohjen e sigurt të reaktorëve.

Kryeministri Peter Magyar bëri të ditur se mbyllja e centralit të Paksit pritet të ndodhë të martën ose të mërkurën e javës së ardhshme.

Centrali bërthamor i Paksit, i vendosur në jug të Budapestit, siguron rreth 40% të prodhimit vjetor të energjisë elektrike në Hungari. Katër reaktorët e tij, të ndërtuar me teknologji të periudhës sovjetike, përdorin ujin e Danubit për sistemin e ftohjes.

Operatori i centralit kishte paralajmëruar më herët se ndalimi i punës ishte bërë i pashmangshëm për shkak të kushteve të jashtëzakonshme atmosferike.

Niveli i Danubit ka zbritur në minimum historik në disa zona, si pasojë e mungesës së reshjeve dhe valëve të njëpasnjëshme të të nxehtit që kanë prekur Evropën Qendrore që prej muajit maj.

Situata nuk është e izoluar vetëm në Hungari. Edhe Rumania ka ndërprerë punën e një reaktori bërthamor për të njëjtën arsye dhe ka paralajmëruar mbylljen e një të dyti.

Temperaturat ekstreme kanë krijuar probleme të shumta në rajon. Qeveria hungareze u ka kërkuar bizneseve të reduktojnë konsumin e energjisë, ka ndaluar ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura dhe ka kufizuar ndriçimin dekorativ të ndërtesave shtetërore.

Në qytetin Szentendre, në veri të Budapestit, rreth 7 mijë banorë po përballen me kufizime në furnizimin me ujë. Autoritetet kanë vendosur cisterna me ujë të pijshëm, por banorët shprehen se furnizimi nuk është i mjaftueshëm për nevojat e përditshme.

Pasojat e valës së të nxehtit po ndihen edhe në vendet fqinje. Sllovakia ka hapur mbi 30 pika freskimi me ambiente të klimatizuara dhe ujë falas, ndërsa Sllovenia ka shpallur nivel shumë të lartë rreziku për zjarre pyjore.

Në Austri, temperaturat kanë arritur një rekord të ri për muajin korrik, me 40.3 gradë Celsius të regjistruara në qytetin Wieselburg, ndërsa thatësira konsiderohet ndër më të rëndat e viteve të fundit.