BOTA, 3 November 2026, 14:30

Japoni/ Vodhi orën luksoze 260 mijë euro, por u pendua dhe e ktheu në dyqan! Hajduti lë edhe një letër duke kërkuar falje për veprimin

Japoni/ Vodhi orën luksoze 260 mijë euro, por u pendua dhe e ktheu

Një burrë në Japoni ka kthyer një orë luksoze që kishte vjedhur disa ditë më parë, duke i bashkëngjitur një letër kërkimfaljeje. Megjithatë, policia vijon kërkimet për identifikimin dhe arrestimin e tij.

Vodhi një orë luksoze me vlerë mbi 260 mijë euro, por disa ditë më vonë vendosi ta kthente, madje duke kërkuar edhe falje. Kjo është historia e pazakontë që ka ndodhur në Tokio të Japonisë, ku një burrë u largua nga një dyqan me orën që kishte kërkuar ta provonte, ndërsa më 1 nëntor ajo u kthye në dyqan brenda një pakoje, së bashku me një letër kërkimfaljeje të shkruar me dorë.

Sipas mediave japoneze, ngjarja ndodhi javën e kaluar në zonën Nakano të Tokios. Burri hyri në një dyqan orësh luksoze duke u shtirur si klient dhe kërkoi të provonte një orë të markës zvicerane Audemars Piguet, me vlerë 46 milionë jen. Por pasi e mori në dorë, në vend që t'ia kthente shitësit, u largua nga dyqani duke e marrë me vete.

Disa ditë pas vjedhjes, më 1 nëntor, në dyqan mbërriti një pako me orën e vjedhur. Brenda saj ndodhej edhe një letër e shkruar me dorë, përmes së cilës autori kërkonte falje për veprimin e tij.

Sipas gazetës japoneze “Asahi Shimbun”, hetuesit verifikuan numrin serial të orës dhe konfirmuan se bëhej fjalë për të njëjtën orë që ishte vjedhur.

Megjithatë, kthimi i orës dhe kërkimfalja nuk e kanë mbyllur çështjen. Policia e Tokios vijon kërkimet për të identifikuar dhe arrestuar personin që kreu vjedhjen.