BOTA, 31 July 2026, 18:49

Thatësira përkeqësohet në Europë, mbi 100 komuna në Itali përballen me mungesë uji

Kushtet e thatësirës në pellgun e lumit Po në Itali janë përkeqësuar ndjeshëm, duke detyruar autoritetet të rrisin nivelin e rrezikut për burimet ujore në kategorinë “të lartë”, ndërsa shtohen shqetësimet për furnizimin me ujë të pijshëm.

Vendimi u mor pas një takimi të Observatorit të Përhershëm për Përdorimin e Ujit, të koordinuar nga Autoriteti i Pellgut të Lumit Po (AdbPo), i cili monitoron rezervat ujore në pellgun më të madh lumor të Italisë. Sipas të dhënave të autoriteteve, më shumë se 100 komuna në rajonet veriore të Piemontes dhe Lombardisë po përballen me ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm, për shkak të mungesës së zgjatur të reshjeve dhe rënies së prurjeve të lumit.

Në disa prej zonave të prekura janë vendosur masa emergjente, ku cisternat me ujë po përdoren prej ditësh për të rimbushur rezervuarët e ujësjellësve dhe për të garantuar furnizimin për banorët. Lugina e lumit Po, një nga zonat më të rëndësishme bujqësore dhe industriale të Italisë, është prekur gjithnjë e më shumë nga periudhat e zgjatura të thatësirës gjatë viteve të fundit. Mungesa e ujit ka rritur presionin mbi burimet natyrore, duke prekur familjet, bujqësinë dhe sektorin industrial.

Ndërkohë, edhe Holanda po përballet me përkeqësim të kushteve hidrike. Autoritetet holandeze kanë bërë të ditur se nuk parashikohen masa të reja emergjente për thatësirën, pavarësisht rënies së nivelit të lumit Rajn, i cili ka arritur një nga nivelet më të ulëta të regjistruara në stacionin matës të Lobith.

Holanda ndodhet në Fazën 2 të kuadrit kombëtar për mungesën e ujit që prej 16 korrikut, çka tregon një situatë të mungesës reale të burimeve ujore. Autoritetet po përqendrohen në menaxhimin dhe shpërndarjen efikase të ujit të disponueshëm, përfshirë përdorimin e pompave emergjente, ndërsa kufizimet për marrjen e ujit vijojnë në zona të ndryshme të vendit.

Zyrtarët kanë paralajmëruar gjithashtu për rritje të kripëzimit në zonat perëndimore dhe përkeqësim të cilësisë së ujit për shkak të përhapjes së algave blu-jeshile. Situata është problematike edhe në Bullgari, ku autoritetet raportojnë nivele historikisht të ulëta të ujit në lumin Danub. Në qytetin verior të Rusës, niveli i lumit ka zbritur në 87 centimetra nën nivelin zero të referencës, duke shkaktuar vështirësi të mëdha për transportin ujor. Zyrtaret bullgarë e kanë cilësuar situatën si të paprecedentë dhe kanë paralajmëruar se kushtet pritet të përkeqësohen edhe më tej gjatë javëve të ardhshme.