BALLKAN, 4 Mars 2023, 14:56

Propozimi evropian, ambasadori gjerman: Nuk do të lejojmë një “Republikë serbe” në Kosovë

Propozimi evropian, ambasadori gjerman: Nuk do të lejojmë një
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde

Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi nuk parashikon asnjë “Republikë serbe” në tokën e Kosovës.

Kështu thotë në një intervistë për Radio Kosovën, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, gjersa u shpreh se në dhjetë ditët e ardhshme, Kosova dhe Serbia pritet bëjnë përparim vendimtar, në mënyrë që të sqarohet mekanizimi i implementimit të marrëveshjes.

“…Propozimi është një mundësi e madhe për të bërë një hap të madh përpara për arritjen e një normalizimi gjithëpërfshirës dhe kjo mundësi duhet të shfrytëzohet nga palët. Prandaj, ishte shumë e rëndësishme që palët u takuan në Bruksel dhe u pajtuan në parim për pranimin e këtij propozimi, Megjithatë, disa çështje thelbësore ende kanë mbetur të hapura.

Kështu, Kosova duhet të tregohet e gatshme të flasë lidhur me Asociacionin e komunave serbe dhe tani ajo që mbetet është implementimi i aneksit të propozimit, sepse pa u pajtuar për zbatimin e aneksit zor se do të jetë i mundur zbatimi i marrëveshjes. Tani presim që bisedimet të vijojnë në mënyrë konstruktive dhe të dyja palët, të themi ashtu, të tregojnë angazhim politik”, tha ai.

Se a është propozimi gjermano-francez një zgjidhja përfundimtare e problemit mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori gjerman tha “Jo, nuk është, nuk e sjell atë! Ne e kemi thënë në mënyrë shumë të qartë se kjo është vetëm një hap i ndërmjetëm në rrugën drejt normalizimit të plotë dhe gjithëpërfshirës.

Pika kryesore e këtij plani, thënë ashtu, është vendosja e trenit në binarë të rregullt dhe nëse marrëveshja do të zbatohet, atëherë i jemi afruar qëllimit pasi kjo është njohje de-facto e Kosovës nga Serbia”.

Ambasadori Rohde tha më tej se pret që të dyja palët t’i përmbahen asaj për të cilën janë zotuar dhe kanë premtuar të hënën në Bruksel, pra se e kanë pranuar këtë dokument dhe jo të thonë gjëra që bien në kundërshtim me zotimet e tyre.

Se a ka vend për keqkuptime në marrëveshje, Rohde tha se hollësitë janë në aneksin për implementim.

“Hollësitë janë në aneksin për implementim. Natyrisht, duhet të ketë sqarim të këtyre detajeve. Por ta përsëris edhe një herë atë që thashë më parë, se nuk duhet thënë gjëra që bien në kundërshtim me zotimet e dhëna, pasi tashmë udhëheqësit politikë të të dyja vendeve kanë dhënë fjalën e tyre dhe duhet të tregojnë zotësinë për zbatimin e marrëveshjes.

Por, ajo që është e shkruar në ato dhjetë, apo 11 pika, që janë brenda marrëveshjes, duhet të zbatohen dhe kjo do të sqarohet në hollësi përmes aneksit të marrëveshjes”.

Ambasadori gjerman në Kosovë ka folur edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Unë nuk dua të deklarohem për gjëra hipotetike, por mund të them një gjë: ka një obligim që është marrë përsipër më herët për Asociacionin. Mirëpo, ne e kemi thënë hapur dhe në mënyrë krejt të qartë si partnerë dhe miq të ngushtë të Kosovës, pra ne pesë vendet e Quintit, e kemi bërë të qartë atë çfarë nuk duam dhe çfarë nuk mund të ndodhë, e kjo është një ‘Republikë serbe’ në tokën e Kosovës.

Kjo pra, është diçka që as mund të merret me mend dhe larg çdo parashikimi. Ajo që mund të kalojë, për shembull, është ajo që para disa muajsh propozoi një organizatë joqeveritare gjermane: ‘Fondacioni Friderich Ebert’ dhe unë deri më sot, nuk kam dëgjuar askënd, që të më thotë se ky propozim i ‘Fondacionit Fridrich Ebert’ është në kundërshtim me vendimin e Kushtetutës së Kosovës të vitit 2015.

Ajo që tani do të kisha dashur, është që Kosova të përmbush obligimin që ka marrë dhe të propozojë vetë një statut për Asociacionin. Kjo është një obligim që ka marrë Kosova dhe jemi në pritje të kësaj iniciative”, tha ai.

Rohde ka folur edhe për mbështetjet financiare për Serbinë dhe Kosovën.

“…Edhe Kosova këto javë mori një ndihmë të konsiderueshme financiare nga BE-ja. Ne mbështesim zhvillimin e infrastrukturës në secilin vend në Ballkan, sepse ne dëshirojmë që këto vende sa më shpejt të jetë e mundur, të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, sepse dëshirojmë që lidhjet infrastrukturore të rrisin cilësinë e jetës së qytetarëve në këto vende.

Siç e përmenda edhe më parë, ky është një propozim gjermano- francez, përmbajtja e të cilit tani është publikuar dhe në disa prej neneve mund të lexohet se zbatimi i këtij plani, do të monitorohet nga BE-ja. Për këtë qëllim, do të krijohet një Komitet i veçantë i përbashkët për të matur hapat dhe përparimin e bërë.

Gjithashtu, është paraparë një pako investuese për të dyja vendet nëse plani përmbyllet me sukses, ashtu siç është parashikuar. Kjo do të thotë se përcjellja e zbatimit të planit, është komplet e garantuar. Gjithashtu, do të ketë ndihmë financiare për të dyja vendet dhe kjo është e shkruar e zezë mbi të bardhë. Pra, konsideroj se kjo është një sinjal i qartë i dhënë përmes garantimit të 27 vendeve për  përfundimin e procesit”, tha Rohde.

Përfaqësuesi i shtetit gjerman në Kosovë ka folur edhe për pasojat që mund t’i kenë palët nëse nuk i përmbahen zotimeve.

“Natyrisht do të ketë konsekuenca për palën që nuk tregohet konstruktive. Mirëpo, ne nuk kemi arsye të dyshojmë në seriozitetin e palëve, që të hënën në Bruksel u zotuan se e pranojnë këtë plan.

Prandaj, presim që të dëshmohet vullnet politik për të hyrë në detaje të zbatimit të tij, sepse ne duam që më në fund të kemi një dinamikë pozitive dhe jo një dinamikë të tillë që e pamë një vit e gjysmë e këtej, duke rrëshqitur nga një krizë në tjetrën”.

Ai më tej tha se të dy palët, të hënën janë treguar mjaft konstruktive dhe të përgjegjshëm, duke e pranuar planin.

“Si partnerë të ngushtë që jemi kemi interes të lartë që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e strukturave evropiane së më shpejt të jetë e mundur. Kjo u tregua edhe javën e shkuar kur Kancelari Scholz me Presidentin francez u takuan me Kryeministrin Albin Kurti dhe me Presidentin Vuçiq.

Kjo tregohet edhe nga letra e përbashkët e presidentit Macron, kancelarit Scholz dhe kryeministres Meloni. Nuk di sa mund të bëhet me shumë se kaq! Prandaj, edhe presim që të dëgjohet këshilla jonë, sepse duam që rajoni dhe partneri ynë Kosova të bëjë hapa përpara dhe pikërisht përmes këtij plani arrihet deri tek normalizimi i gjendjes dhe përmirësimi konkret i jetës për qytetarë.

Njohja e integritetit territorial, njohja e simboleve shtetërore, njohja e dokumente janë brenda në këtë dokument, sepse duam që marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë të normalizohen në të gjitha fushat si në kulturë, ekonomi etj. Pra, bëhet fjalë për përmirësim konkret për qytetarët. Kësaj që thamë, i shërben edhe Procesi i Berlinit, që është krijuar nga Gjermania”, tha ai.

Ambasadori gjerman ka folur edhe kritikat opozitare gjatë seancës të së enjtes ku u debatua deri pas mesnate në Kuvendin e Kosovës.

“E di, të enjten kishte një debat parlamentar, që ka zgjatur deri pas mesnatës. I ndjek deklaratat e tyre dhe ajo që mund të them është se nuk ia vlen, pra është kot të flasë për të kaluarën, e kam fjalën për temën e diskutimit lidhur me Asociacionin e komunave serbe.

Ekziston një obligim që është bartur nga qeveritë e kaluara tek kjo qeveri, pra nga qeveri të kaluara, që ishte përbërë nga opozita e sotme. Ajo qeveri e përbërë atëherë nga opozita e sotme, kishte marrë obligime që nuk i kishte zbatuar dhe tani qeveri e sotme duhet të ballafaqohet me atë trashëgimi.

Personalisht, nga opozita pres përgjegjësi politike shtetërore dhe me këtë rast dua të potencoj edhe një herë se e gjithë bashkësia ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë partnerët më të ngushtë të Kosovës, qëndrojnë fuqishëm prapa këtij propozimi.

Prandaj, dua të shpresoj se opozita do të ketë sjellje konstruktive dhe këtë temë super politike të mos e shfrytëzojë për lojëra të brendshme politike ashtu siç kishte ndodhur në të kaluarën. Tani bëhet fjalë për të siguruar të ardhmen dhe këtu gjithkush ka përgjegjësinë e vetë politike, në mënyrë të veçantë opozita”, tha ambasadori

Në fund, ambasadori gjerman duke folur për takimin e ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ndonjë afati tha “kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë do të takohen më 18 mars në Ohër dhe ne shpresojmë që në dhjetë ditët e ardhshme, të bëhet përparim vendimtar, në mënyrë që të sqarohet mekanizimi i implementimit të marrëveshjes. Shpresojmë deri në fund të muajit, të arrihet një unifikim qëndrimesh në mënyrë që marrëveshja të nënshkruhet.

Pra, ka një presion në kohë për t’u arritur kjo, sepse kemi një situate gjeopolitike me një luftë në Evropë, ndikimin e së cilës po ndihet në çdo vend në planin politik dhe ekonomik. Prandaj, kërkojmë që liderët politikë këtu të tregohen të përgjegjshëm për këtë situatë dhe të arrijnë kompromis në të mirë të vendeve të tyre dhe në të mirë të popullatës së tyre”, u shpreh ambasadori.