BALLKAN, 4 Mars 2023, 14:50

''I thamë rri, por shkoi të studionte''/ Prindërit rrëfejnë bisedën e fundit me 21-vjeçaren, identifikohen shqiptarët që humbën jetën në Greqi

''I thamë rri, por shkoi të studionte''/
Ledio Ruçi, Klaudia Lata dhe Ifigjenia Micka

21 vjeçarja shqiptare Klaudia Lata është ndër viktimat e aksidentit tragjik hekurudhor të së martës mbrëma në Tempi të Greqisë.

Mediat e huaja bëjnë me dije se studentja po udhëtonte drejt Selanikut, ku po kryente studimet për Degën e Mjekësisë të Shkollës Ushtarake të Trupave të Oficerëve, kur ndodhi aksidenti tragjik që i mori dhe jetën.

Sipas raportimeve prindërit i kishin kërkuar 21-vjeçares që të rrinte dhe një ditë në Larisa aty ku kishte lindur, por e reja nuk kishte pranuar pasi donte të shkonte të studionte, por për fat të keq nuk ia arriti.

Klaudia kishte dy vëllezër e motra, motrën e saj Xheni dhe vëllain Elvis. 

''I thamë rri, por shkoi të studionte''/
Klaudia Lata

Ndërkohë janë identifikuar edhe 3 shqiptarët e tjerë në mesin e viktimave nga aksidenti vdekjeprurës, ku një tren me pasagjerë u përplas kokë më kokë me një tren mallrash në Tempi të Larisas.

Trupat e tyre janë identifikuar përmes ADN-së, të marrë nga të afërmit të tyre. Mediat helene kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për 22-vjeçarin, Ledio Ruçi, 21-vjeçarja Klaudia Lata dhe 23 vjeçarja Ifigjenia Micka.

Ata shin cilësuar si të zhdukur nga autoritetet, teksa të afërmit e tyre i kërkonin prej 3 ditësh. Më herët ishte konfirmuar 60-vjeçari Pavlin Bozo, nga Lushnja, i cili punonte prej 10 vitesh në bar/bufe brenda në tren.

57 persona mbetën të vrarë dhe mbi 80 të plagosur nga aksidenti tragjik. Në spital po marrin ttrajtim 15 persona 6 prej tyre janë në gjende më të rëndë shëndetësore.