BALLKAN, 3 Mars 2023, 10:25

“Babi, jam i bllokuar dhe shoh vetëm flakë”/ Telefonata e 22-vjeçarit pas aksidentit tragjik në Greqi

“Babi, jam i bllokuar dhe shoh vetëm flakë”/ Telefonata e
Giorgos Katehakis me djalin Antonis

“Telefoni im ra rreth orës 23:30. Ishte Antonis që më telefononte nga një numër i panjohur.

“Babi, ka ndodhur një aksident i tmerrshëm. Jam i bllokuar dhe gjitçka që shoh rreth meje janë flakë”, më tha ai.

Giorgos Katehakis, mund të dëgjonte djalin e tij duke folur me të nga ana tjetër e linjës dhe po përpiqej shumë të qëndronte i qetë. Djali i tij ishte në rrezik dhe ai shumë kilometra larg,  gjithçka që mund të bënte ishte t’i jepte forcë, aq sa forcë mund të kishte një baba në atë moment.

Djali i tij 22-vjeçar, student në vitin e tretë po udhëtonte mbrëmjen e së martës me trenin fatal të linjës “Athinë – Selanik”.

Ai ndodhej në vagonin e dytë, vendi 95.

“Vetëm një mrekulli mund të na shpëtonte nga tre vagonët e parë”, thanë ata pasagjerë që arritën të dilnin të sigurt nga vagonët e pasmë të trenit.

Antonis ishte ndër ata që për mrekulli doli i gjallë. Ai i përshkruan momentet dramatike që ka përjetuar mbrëmjen e së martës, në një udhëtim krejt ndryshe nga gjithçka kishte bërë deri atëherë.

“Më kujtohet që shkova në mensë për të marrë një sanduiç. Fillova një bisedë me punëtorët e trenit, të cilët, si gjithmonë, ishin shumë të sjellshëm dhe u ktheva menjëherë në vendin tim.

Kaluan disa minuta, kur u dëgjua përplasja e parë. Një i ri që ishte ulur në sediljen përballë, më ra dhe më goditi fort në sy. Sekondën tjetër, ai ndjeu një tjetër goditje të rëndë. Instinktivisht, vendosa duart mbi fytyrë për t’u mbrojtur.

Për një kohë, ndërsa sytë e mi ishin mbyllur, më dukej sikur po bënim rrathë. Kur i hapa, pashë flakë para meje”.

Momentet që pasuan dukej se ishin drejtpërdrejt nga një film.

“Përpara meje pashë flakë dhe mbeturina. Pashë persona që digjeshin dhe dëgjova britma të forta”, përshkruan Antonis.

“Mendimi im i parë ishte se isha gjallë, duhej të reagoja për të shpëtuar veten. Nuk doja të vuaja diçka për të mos i shkaktuar dhimbje familjes time. Me dy pasagjerët që sapo kisha takuar, menduam se e vetmja rrugëdalje ishte dritarja mbi sediljen tonë, e cila tashmë ishte thyer.

Tashmë ishim të rrethuar nga flakët dhe nuk kishim zgjidhje tjetër veçse të hidheshim. Distanca nga dritarja në tokë ishte rreth 2.5-3 metra dhe gjithçka që mund të shihnim nga lart ishte një llamarinë e madhe. Vendosëm t’i hidhnim të gjitha valixhet poshtë, në mënyrë që të mos vriteshim shumë.

Për të shkurtuar distancën, ne u varëm nga vagoni dhe u hodhëm. Në atë moment ishim mbledhur pesë veta, një vajzë dhe katër djem. Mbaj mend që u hodha i dyti apo i treti.

Të gjitha vendimet u morën brenda pak sekondash. Njëri inkurajoi tjetrin dhe përfundimisht të pestë  arritën të dilnin nga vagoni i dytë, vetëm me lëndime. “Ndoshta pas nesh kanë ndjekur të tjerë, por nuk e di”, thotë Antonis dhe përshkruan atë që pasoi.

Nga pika ku rashë, u largova rreth 100-150 metra. U ula sepse kisha thithur mjaftueshëm tym dhe kërkova telefonin e një pasagjeri që të telefononte babain tim dhe t’i tregonte atij se çfarë kishte ndodhur.

 I thashë se në atë kohë nuk shihnim rrugëdalje për të dalë në rrugë. Megjithatë, për fat të mirë, brenda 20 minutave të ardhshme, zjarrfikësit arritën dhe na ndihmuan,” tha ai.

Në orët në vijim Antonis Katehakis ndodhej në Spitalin Universitar të Larisës, ku iu nënshtrua një operacioni në lobin e veshit të djathtë. Ai u shtrua në spital për dy netë me traumë të fortë në kokë, hematoma dhe djegie të lehta në bark dhe krahë, raporton abcnews.al.

Prindërit e tij mbërritën në Greqi nga Qipro,  ku ata jetojnë në fluturimin e parë të mërkurën në mëngjes. Që nga ajo kohë ata janë afër fëmijës së tyre, duke u përpjekur të kuptojnë se çfarë ka ndodhur.

“Që në momentin që i pashë, ndjeva gëzim dhe paqe”, tha i riu i mbijetuar nga aksidenti i trenit në Tempe.

Ai doli nga spitali mesditën e së enjtes dhe tani ndodhet në shtëpinë e tij në Selanik. Ndoshta do të duhet shumë kohë për të kaluar tronditjen. Por ai doli i gjallë nga një vagon që digjej dhe kjo për familjen e tij është një mrekulli e vërtetë.