BALLKAN, 3 Mars 2023, 14:14

Greqi/ Alarm për bombë në godinën e kompanisë së trenave

Greqi/ Alarm për bombë në godinën e kompanisë së

Autoritetet greke janë lajmëruar me anë të një telefonate mëngjesin e kësaj të premteje, rreth orës 10:20 se në godinën e “Hellenic Train” ishte vendosur një bombë.

Si masë paraprake nga autoritetet u vendos që ndërtesa të evakuohej në mënyrë të menjëhershme.

Forcat e policisë dhe të zjarrfikëseve mbërritën në vendngjarje menjëherë pas marrjes së njoftimit.

Pas një kontrolli vizual nuk u gjet asgjë e dyshimtë apo alarmuese dhe pa më vonë, kontrolli mori fund.

Kujtojmë se ky alarm për bombë në stacionin hekurudhor vjen dy ditë pas aksidentit tragjik të dy trenave ku humbën jetën 57 qytetarë.

Aksidenti hekurudhor ndodhi në hyrje të luginës së Tempes, ku treni i pasagjerëve që udhëtonte midis Athinës dhe Selanikut me 350 persona në bord u përplas me një tren mallrash.

Të mbijetuarit kanë treguar se vagonët u përfshinë me shpejtësi nga flakët, njerëzit digjeshin të gjallë, ndërsa ishte shumë e vështirë të nxirrje personat nga mjeti i shkatërruar.

Nga informacionet e dhëna nga autoritetet greke, numri i viktimave është të paktën, 57, por mund të rritet ende për shkak të personave të zhdukur të cilët nuk janë gjetur ende.

Greqia ka shpallur tre ditë zie kombëtare në nder të viktimave.