AKTUALITET, 22 October 2026, 14:31

Kërcënimi/ Alarm global për sigurinë kibernetike, Inteligjenca Artificiale zbuloi dobësitë e sistemit, masa edhe në Shqipëri

Kërcënimi/ Alarm global për sigurinë kibernetike,

Shumë faqe interneti në mbarë botën janë mbyllur pas zbulimit të dobësive serioze të sigurisë në gjuhën e tyre të programimit, e quajtur PHP, që përdoret gjerësisht për ndërtimin dhe funksionimin e platformave online.

Shumë institucione në vende të ndryshme të botës kanë nxjerrë përkohësisht faqet e tyre jashtë funksionit si masë parandaluese.

Ndërsa në Shqipëri nuk raportohen faqe të mbyllura apo të dëmtuara nga ky problem.

Alarmi global për sigurinë kibernetike ka rikthyer vëmendjen te cenueshmëria e sistemeve teknologjike, por në Shqipëri nuk është raportuar asnjë incident i lidhur me situatën aktuale.

Kështu deklaron Arli Minga, drejtor i monitorimit të incidenteve në AKSK, në një intervistë për “Money Report”, duke theksuar se nuk ka problematika të raportuara nga institucionet apo kompanitë. Ai nënvizon se institucionet publike, mediat dhe bankat mbeten potencialisht të ekspozuara ndaj sulmeve kibernetike, ndërsa të dhënat e qytetarëve kanë qenë ndër objektivat e incidenteve të mëparshme.

 Sipas Mingës, ndërgjegjësimi dhe investimet në teknologji kanë shënuar përmirësim, ndërsa sistemi bankar mbetet një nga sektorët më të sigurt, por edhe ndër më të shënjestruarit.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, bëri të ditur se nuk ka pasur mbyllje apo probleme të faqeve të internetit, as në institucionet qeveritare dhe as në kompanitë private.

Për të parandaluar sulmet e mundshme, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike njoftoi se një ditë më parë kishte paralajmëruar të gjitha infrastrukturat, ndërkohë po ndiqet çdo proces për marrjen e masave mbrojtse.

Mangesitë në gjuhën e programimit u zbuluan nga studiues të sigurisë kibernetike me ndihmën e inteligjencës artificiale.

Ndërkohë Britania dhe Bashkimi Evropian paralajmëruan për rrezikun dhe u kërkuan institucioneve të përditësonin menjëherë sistemet ose të mbyllnin përkohësisht faqet që nuk mund të siguroheshin në kohë.

Në Holandë, Finlandë, Francë dhe Danimarkë, disa faqe qeveritare dhe shërbime publike u nxorën përkohësisht jashtë funksionit, ndërsa zhvilluesit e gjuhës programuese publikuan përditësime për të korrigjuar dobësitë.