AKTUALITET, 6 Korrik 2023, 20:14

Pr.ligji për studentët e mjekësisë/ Shqipëria kopjoi Nigerinë?! Ndalimi i studentëve për t’u larguar, njësoj edhe atje

Pr.ligji për studentët e mjekësisë/ Shqipëria kopjoi

Me protesta nga studentët e Mjekësisë është shoqëruar projektligji i qeverisë, i cili i kufizon tërheqjen e diplomës pas përfundimit të studimeve. Ata kanë protestuar kundër marrjes së vendimit të qeverisë që kushtëzon largimin e studentëve të Mjekësisë nga vendi.

Studentët dolën me pankarta të shumta, pas vendimit të marrë nga qeveria për punësimin e tyre me detyrim në shtet ose pagesën e tarifës së lartë të shkollimit.

Nëse bëni një kërkim në internet, duket se Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, e ka kopjuar ligjin nga Nigeria.

Një fragment shkëputur nga një lajm i publikuar në mediat e huaja:

“Dhoma e Përfaqësuesve të Nigerisë kishte njoftuar më 6 prill se projektligji i sponsorizuar nga Ganiyu Abiodun Johnson për ta bërë të detyrueshëm që praktikantëve të mjekësisë dhe stomatologjisë të mos u jepet licenca e plotë e ushtrimit deri në pesë vjet pas diplomimit, ka kaluar në leximin e dytë. Sipas Asamblesë Kombëtare, projektligji është pjesë e masave për të ndaluar migrimin e mjekëve nigerianë në vende të tjera".

Madje kundër ka dalë kryetari i Komisionit të Senatit për Shëndetësinë, senatori Ibrahim Oloriegbe, i cili ka thënë se mohimi i licencës së plotë të praktikës për mjekët, nuk është kurrë një zgjidhje për ikjen e 'trurit' në vend. Oloriegbe, i cili është gjithashtu një mjek, e zbuloi këtë në një seri postimesh në Tëitter të shtunën, më 8 prill.

Ai shkroi: “Përveç kësaj, nuk janë vetëm mjekët që largohen nga vendi për kushte më të mira jashtë vendit, ka punonjës të tjerë shëndetësorë, si dhe profesionistë në fusha të tjera, të trajnuar por që largohen nga vendi çdo ditë për qëllime të ngjashme, për rrjedhojë, përqendrimi i vëmendjes vetëm te mjekët është si të kurosh një nga shumë sëmundjet që po kërcënojnë jetën e një pacienti që po vdes pa gjetur zgjidhje për të tjerat”.

Teksa kthehemi tek çështja në Shqipëri, kryeministri Rama tha se të rinjtë që do të nisin studimet në mjekësi, do të duhet të punojnë pesë vite në Shqipëri me detyrim, në mënyrë që të diplomohen.

Ai theksoi se është obligim për të gjithë studentët e vitit të parë që do të nisin studimet, që të marrin parasysh kriteret e reja tashmë të Universitetit të Mjekësisë dhe nëse duan apo jo, të nisin këtë rrugëtim.