AKTUALITET, 26 October 2026, 12:11

Balla: Dorëheqja e Ramës s’ka për të ndodhur. Studentët tanë të marrin shembull nga ata të Serbisë

Balla: Dorëheqja e Ramës s’ka për të ndodhur.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes së kryeministrit Edi Rama dhe të zgjedhjeve të parakohshme.

Në një prononcim për mediat, Balla deklaroi se qeveria është e gatshme të dialogojë me studentët për çështjet që ata kërkojnë të adresojnë, por jo me ata që, sipas tij, ushtrojnë dhunë.

Ai u bëri thirrje studentëve që të marrin shembull nga studentët në Serbi, duke theksuar se ndryshimi i pushtetit në demokraci bëhet përmes votës.

“Kryeministri Rama ka qenë shumë i qartë, dialog me studentët. Ka një propozim për dialog me studentët, sepse studentët kanë çështje për t’u adresuar, edhe pse jemi ndër të paktat vende, që kemi një trajtim të veçantë për studentët ekselentë. Studentët nga familje në nevojë s’paguajnë asnjë taksë, tarifë, dhe marrin 100 euro nga shteti.

Dialogu s’mund të zhvillohet kurrsesi me ata që dhunojnë. Te ligji për tubimet parashikohen një sërë masash për ata që dhunojnë. Dorëheqja e Ramës s’ka për të ndodhur kurrë. Dorëheqje nuk ka. Dialog pa dyshim, përjashto seksionin e dhunës së PD. Dialog po, nëse duan paraprakisht t’i çojnë listën e çështjeve, le t’i çojnë.

Studentët të marrin shembull nga studentët në Serbi. Kishte një protestë, zgjati për tre vite me radhë, në fund u konkretizua me votë. Shkuan në zgjedhje. Vota është ajo që përcakton dhe në demokraci harrojeni se mund të ketë ndryshim pushteti pa votë”.