AKTUALITET, 27 Maj 2023, 22:16

"Po e ndjekim, por s'mund të komentojmë", një zëdhënës i Komisionit Europian flet për burgosjen e Belerit

"Po e ndjekim, por s'mund të komentojmë", një

Komisioni Europian ka thyer heshtjen për arrestimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Belerit, i cili akuzohet për shit-blerje votash.

Euronews shkruan se një zëdhënës i Komisionit i tha gazetares Alice Taylor, se ata nuk mund të komentojnë mbi hetimet që po zhvillohen, por janë në dijeni të situatës.

“Ne vijojmë t’i ndjekim zhvillimet. Nuk mund të komentojmë hetimet në vijim dhe kërkojmë që të sigurohet vazhdimësia e procesit,” u shpreh zëdhënësi i Komisionit.

Sa i takon zgjedhjeve lokale, ata u shprehën se rastet e keqpërdorimit të burimeve publike në nivel kombëtar dhe lokal, pretendimet për presion ndaj votuesve dhe punonjësve të administratës dhe në veçanti për blerjen e votave, janë shqetësuese dhe duhen hetuar përkatësisht. Komisioni Europian shtoi se palët politike duhet të angazhohen në një dialog dhe të adresojnë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.

GJKKO dha vendimin “Arrest me burg” për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri dhe bashkëpunëtorin e tij, Pandeli Kokaveshi. Arrestimi i tij është bërë dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit, pasi akuzohet për shitblerje votash. Kjo ngjarje solli reagime edhe nga pala greke, e cila ka bërë shpesh thirrje për lirimin e Belerit.