AKTUALITET, 26 Mars 2023, 12:18

Meta me kandidaten e opozitës për bashkinë e Prrenjasit: Gati 1/3 e kryetarëve që emëroi Rama nuk janë më në detyrë. Qeveria ndërton rrugë 4-5 herë më shtrenjtë

Meta me kandidaten e opozitës për bashkinë e Prrenjasit: Gati 1/3

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta është takuar ditën e sotme me qytetarët në Prrenjas. Në krah të kandidates së opozitës për këtë bashki, Zana Topi, Meta e cilësoi atë një figurë përbashkuese.

Ai u shpreh se gati1/3 e kryetarëve që emëroi Rama në zgjedhjet e shkuara lokale nuk janë më në detyrë, ndërkohë që një pjesë e tyre janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Meta theksoi se qeveria sot ndërton rrugë me kosto 4-5 herë më shtrenjtë dhe ka falimentuar të gjitha bashkitë e vendit.

“Është kënaqësi të jem në promovimin e një kandidature kaq të denjë si Zana Topi. Një profesioniste e jashtëzakonshme me shumë eksperiencë jo vetëm profesionale por edhe të parlamentit. Jam i sigurt që me integritetin e saj do të bëjë më të mirën për të gjithë popullin e bashkisë së Prrenjasit. Ne do të kemi shans për të shpalosur vlerat më të mira menaxheriale në Prrenjas. Është kënaqësi e veçantë të jem këtu me mikun tim Aurel Bylykbashin dhe të japin mbështetjen tonë për Zanën. Është votuar nga simpatizantët e PD si një zgjedhje përbashkuese.

Gati 1/3 e kryetarëve që emëroi ai ose nuk janë më në zyrë, ose janë në kërkim ndërkombëtar. Vetëm Vora ka ndërruar 5 kryetarë në 4 vjet dhe e kanë falimentuar bashkinë e Vorës. Kavaja, edhe atë e falimentuan. Pastaj këto punët e ujësjellësave ju i dini. Modelet këto janë. Pse paska legë Kosova për pedagogët dhe mësuesit dhe nuk paskemi ne? Çfarë rrugësh ka bërë Edi Rama? Më thoni mua ku i çoi ky borxhet që ka marrë? Më thoni një rrugë që ky e ka mbaruar. Kilometri katër herë pesë herë më shtrenjtë. Këtu janë lekët e pensioneve që nuk janë rritur.

Ky çdo gjë e ka bërë monopol. E ka kundër prodhimit vendas, kundër eksporteve. Mollën e Korçës më lirë se në Tiranë e gjeni në Prishtinë. Sepse gjithë sistemi i tij punon për një pakicë. Po ikin njerëzit se nuk ka qëllim qeveria t’i mbajë dhe të zhvillojë njerëzit. Kush është mbështetja që i japim ne bujqësisë dhe blegtorisë dhe kush është ajo që jep Maqedonia”, deklaroi Meta.