TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një person është vënë në pranga ndërkohë që dy të tjerë janë shpallur në kërkim nga policia në Lushnje.
Policia është vënë në ndjekje të tyre ditën e djeshme pasi dyshohet se ishin nisur të kryenin një vjedjhje me armë zjarri.
Në momentin e ndalimit ata kanë refuzuar të binden pas urdhrit të policisë, duke i rrezikuar jetën uniformave blu pas largimit me shpejtësi me automjetin me targa të falsifikuara.
Tashmë po vijon puna për kapjen e dy personave të tjerë të shpallur në kërkim.
Njoftimi i policisë
Gjatë kontrollit të zonës dhe ndjekjes së autorëve, lokalizohet dhe kapet në Elbasan, njëri nga autorët e shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Parandalimi”, i zhvilluar ditën e djeshme, për parandalimin e një vjedhjeje me armë zjarri.
Vihet në pranga 66-vjeçari (drejtuesi i automjetit), i cili u largua bashkë me 2 autorët e tjerë.
Në vijim të operacionit policor të koduar “Parandalimi”, shërbimet e Policisë kanë vijuar ndjekjen e autorëve dhe krehjen e zonës, me qëllim kapjen e tyre. Si rezultat i koordinimit mes Policisë së Lushnjës dhe asaj të Elbasanit, u bë i mundur lokalizimi i njërit prej autorëve të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit.
Shërbimet e Policisë së Elbasanit, në bashkëpunim me ato të Lushnjës, kapën në lagjen “Kala” të qytetit Elbasan, njërin prej autorëve, konkretisht shtetasin B. M., 66 vjeç, banues në Elbasan, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Parandalimi”, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”.
Shtetasi B. M. dhe 2 shtetasit e tjerë të shpallur në kërkim, R. Ç dhe F. T., kishin planifikuar vjedhje me armë në Lushnjë, por falë inteligjencës informative, Policia e Lushnjës ka mundur të parandalojë vjedhjen me armë.
Të tre këta shtetas, kur janë lokalizuar nga punonjësit e Policisë, nuk i janë bindur urdhrit të tyre për të ndaluar, por janë larguar me shpejtësi me një automjet tip “Benz” me targa të falsifikuara, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë që ishin në operacion.
Vijon puna intensive për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të 2 autorëve të tjerë të shpallur në kërkim.