AKTUALITET, 26 Mars 2023, 09:39

Emergjencat konsiderojnë incidentet teknologjike rrezikun më të madh pas shpërthimit të digave

Emergjencat konsiderojnë incidentet teknologjike rrezikun më të

Incidentet teknologjike janë po aq të rrezikshme sa fatkeqësitë natyrore të tilla si tërmetet përmbytjet, shpërthimi i digave dhe si të tilla duan ekipe emergjencë në dispozicion.

Ministria e Mbrojtjes, e cila ka nën mbikëqyrje Agjencinë e Mbrojtjes Civile në një prononcim për “Monitor” renditi incidentet teknologjike rrezikun më të madh pas shpërthimit të digave dhe me efekt të njëjtë me përmbytjet.

Dy vitet e fundit Shqipëria ka pësuar një seri sulmesh kibernetike, ku të dhëna sensitive të qytetarëve u publikuan masivisht.

Ministria e Mbrojtjes sqaroi se risqet më kritike nga fatkeqësitë, të cilat kanë një potencial të lartë për ndikim negativ në zhvillimin e vendit renditen: përmbytjet, rreziqet teknologjike, sëmundjet infektive, të pasuara nga rrëshqitjet e tokës dhe tërmetet dhe zjarret.

Përmbytjet janë një ndër fatkeqësitë natyrore që ndodhin më shpesh në Shqipëri. Për një periudhë kthimi prej 100 vitesh, risku i përmbytjes (risku ёshtё kombinimi i mundësisë së ndodhjes së një ngjarjeje dhe të pasojave të saj negative) është mjaft i lartë, sidomos në Ultësirën Perëndimore.

Sipas analizës krahasuese të qarqeve për risqet e paraqitura në gjashtë raportet tematike, qarqet më të ekspozuara ndaj fatkeqësive në vend përfshijnë Tiranën, Vlorën dhe Shkodrën (risk i lartë), pasuar nga Fieri, Elbasani dhe Durrësi (risk i lartë). Berati dhe Kukësi (mesatar në të lartë), Korça, Lezha, Dibra, dhe Gjirokastra (risk mesatar) janë më pak të rrezikuara për sa i përket rreziqeve kryesore, raportoi Ministria e Mbrojtjes.

Rekomandimet e dhëna në raportin e Vlerësimit të Riskut nga Fatkeqësitë në nivel qendror, janë reflektuar në prioritete në Strategjinë Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë (gjithashtu në proces miratimi me VKM).

Financimi i këtyre risqeve sipas prioritetit (nga risku më i lartë në riskun me të ulët), është kostuar dhe paraqitur në Planin e Veprimit 4 vjeçar, në projekte specifike me fokus unik ngritjen e kapaciteteve dhe fuqizimin e sistemit të mbrojtjes civile, sqaroi Ministria e Mbrojtjes.

Dikasteri i Mbrojtjes sqaroi se, pas tërmetit të vitit 2019, janë rritur kapacitetet teknike (mjete dhe pajisje speciale për kërkim shpëtim në rast tërmetesh) dhe njerëzore për kërkim-shpëtim në rast tërmeti.

Është krijuar Baza e Mbështetjes së Emergjencave Civile, strukturë e Ministrisë së Mbrojtjes e cila ka ne përbërje të saj kapacitetet teknike dhe njerëzore për operacione kërkim shpëtimi në rast zjarresh, tërmetesh, përmbytjes, terrene malore dhe për zhbllokimin e rrugëve nga dëbora.

Por më tej sqaroi se, kapacitetet për përballimin e fatkeqësive natyrore mund të mos jene asnjëherë të mjaftueshme, kjo për shkak të natyrës dhe intensitetit të fatkeqësisë natyrore (rasti i fundit i tërmetit në Turqi).