AKTUALITET, 26 Mars 2023, 10:14

Në kufijtë e afateve për regjistrimin e kandidatëve në zgjedhje, grupi i Alibeajt ende pa konsensus për emrat

Në kufijtë e afateve për regjistrimin e kandidatëve në

Pas mbledhjes maratonë një ditë më parë, Enkelejd Alibeaj do të vijojë edhe sot takimet me strukturat e PD-së për të vendosur mbi kandidatët për zgjedhjet e 14 majit.

Mbledhja do të rinisë me Kryesinë në orën 18:00 në selinë e re të PD-së ku do vijojnë diskutimet. Në takimet maratonë të një dite më parë, nuk është arritur konsensusi për garën e 14 majit.

PD e Alibeajt duket e ndarë, ku një pjesë kërkon daljen me kandidatë për kryetarë në të gjitha bashkitë, ndërsa pjesa tjetër kërkon të dalin me listë për këshilltarë bashkiakë.

Shumica e deputetëve të grupit parlamentar të PD-së mendojnë se duhet të garojnë vetëm për këshillat bashkiak.

Nga ana tjetër, ndër emrat që kanë kërkuar të mbështeten kandidatët e “Primareve” të Berishës janë Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Dhurata Çupi dhe Dashnor Sula.

Anëtarja e Kryesisë, Taulanta Jupi, ka thënë se PD duhet të hyjë me kandidatë në të gjitha bashkitë, mendim të cilit i janë bashkuar Gazmend Koduzi, Orjola Pampuri e Agron Kapllanaj, mendim ky i cili mbështetet edhe nga kryetari i komanduar i partisë, Enkelejd Alibeaj.

Ndërsa deputeti i PD Kreshnik Çollaku ka shprehur mendimin për garimin me kandidatë vetëm në ato bashki ku ka mundësi për të fituar.