AKTUALITET, 3 Qershor 2023, 20:30

“Harta” e kokainës në Tiranë, zonat ku shitet më shumë ‘pluhuri i zanave’ apo ‘buka e bardhë’

“Harta” e kokainës në Tiranë, zonat ku shitet më

‘Buka e bardhë’ apo ‘pluhuri i zanave’ janë disa prej pseudonimeve që përdorin shpërndarësit e kokainës në kryeqytet. Duke iu referuar shifrave, vetëm në 5 muajt e parë të këtij viti policia e kryeqytetit ka sekuestruar 7.5 kg kokainë ndërsa vitin e kaluar në Tiranë u sekuestruan në operacione të ndryshme 9 kg kokainë. Këto shifrat tregojnë për rritje të konsumimit të kokainës por edhe forcës goditëse të policisë.

Zonat më të frekuentuara nga shitësit dhe grupet kriminale që merren me këtë aktivitet janë qendra e Tiranës, zona e Bllokut, Komuna e Parisit si dhe Kodra e Diellit. Disa ditë më parë policia e Tiranës në zonën e Kodrës së Diellit sekuestroi 2.3 kg kokainë dhe arrestoi 5 persona. Ky rrjet kriminal drejtohej nga Kostaq Murtaj i cili përveç shitjes së kokainës kishte dhe një biznes të tregtimit të produkteve ushqimore në Sarandë.

Në industrinë e kokainës ai bashkëpunonte me 2 këshilltarët e porsazgjedhur të bashkisë Sarandë Olsi Mylka dhe Shemsi Progda, të cilët veç angazhimit në drogë dhe politikë kishin dhe biznese. Në skemën e shpërndarjes së kokainës policia identifikoi dhe punonjësin e agjencisë shtetërore të kadastrës në Tiranë Donald Muhamuçi si dhe Ermal Lamaj. Më 4 shkurt të këtij viti policia e Tiranës sekuestroi 2.1 kg kokainë dhe rreth 4 kg heroinë e cila shpërndahej nga një grup i drejtuar nga Brikena Frakulli e cila në këtë aktivitet kishte përfshirë dhe fëmijët e saj. Në këtë operacion në pranga ranë edhe Hortenca Biçakun, Klevi Banushi dhe Artur Kristo.

Në një operacion të ngjashëm me më shumë se 20 të arrestuar më 22 mars policia e Tiranës sekuestroi më shumë se 2 kg kokainë. Hetimet zbuluan se kokainën grupet e shpërndarësve e siguronin nga një person i huaj, që vinte nga lindja e mesme e për autoritetet mbeti anonim.