AKTUALITET, 3 Qershor 2023, 17:28

Regjistrimet në çerdhe dhe kopshte për Tiranën, kategoritë që kanë prioritet. Kushtet dhe afatet

Regjistrimet në çerdhe dhe kopshte për Tiranën,

Më 5 qershor do të nisin aplikimet për regjistrimin e fëmijëve në çerdhet publike të Tiranës, ndërsa kjo fazë do të zgjasë 1 javë.  Drejtuesja e Drejtorisë së Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve, Zhaneta Beqiri ka shpjeguar procedurat që duhet të ndjekin prindërit.

“Të gjithë prindërit paraqiten në ambientin e çerdhes të njësisë se tyre bashkiake dhe bëjnë aplikimin. Duhet të kenë me vete dy vërtetime të punës, certifikatën e fëmijës dhe atë familjare”, tha ajo. Edhe këtë vit, disa kategori do të kenë prioritet. “Janë fëmijët me nevoja të veçanta. Fëmijë të prindërve me nevoja të veçanta, fëmijë të prindërve që trajtohen me ndihmë ekonomike. Fëmijë që kanë statusin e jetimit, dhe fëmijë që vijnë nga familje moniprindërore”, shtoi drejtoresha.

Ndërsa regjistrimet për kopshtet bëhen nga data 13 deri në 23 qershor. Risi ka për fëmijët që kanë frekuentuar çerdhen gjatë këtij viti dhe që mbushin 3 vjeç deri në 15 shtator. “Për të gjithë ata që marrin shërbimin për herë të parë në kopsht, bëjnë aplikimin me te njëjtin dokumentacion si ne çerdhe. Për fëmijët që janë në çerdhe, thjesht plotësohet një formular nga prindi dhe fëmija kalon automatikisht nga çerdhja në kopshtin ku prindi ka shprehur dëshirën”, theksoi Beqiri.