BOTA, 1 August 2026, 11:53

Tragjike/ Muzikanti 55-vjeçar gjendet i vdekur në hotel në Perugia, kolegu i tij në gjendje të rëndë

Një muzikant 55-vjeçar me origjinë nga Siçilia ka humbur jetën në një dhomë hoteli në qendër të Perugias, ndërsa kolegu i tij që ndodhej me të është dërguar në spital në gjendje të rëndë.

Sipas hetimeve paraprake të Karabinierëve italianë, pista kryesore që po shqyrtohet është një helmim i mundshëm nga monoksidi i karbonit.

Ngjarja u zbulua pasi pjesëtarët e grupit muzikor me të cilin udhëtonin vunë re se dy kolegët nuk kishin mbërritur në koncertin e planifikuar në Sala dei Notari, ku ata do të performonin së bashku me rreth 40 muzikantë të tjerë.

Pas alarmit, autoritetet ndërhynë në hotel dhe nisën hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Hetuesit po kryejnë verifikime në ambientet e hotelit, ndërsa një nga pistat kryesore lidhet me një dhomë shërbimi pranë dhomës ku qëndronte çifti, ku ndodhet i instaluar një kazan. Autoritetet po hetojnë nëse një defekt teknik apo një rrjedhje gazi nga ajo zonë mund të ketë shkaktuar tragjedinë.

Personi i mbijetuar vijon të marrë trajtim mjekësor në spital, ndërsa ekipet hetimore po punojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të ngjarjes.