AKTUALITET, 17 August 2026, 09:49

Situata e zjarreve/ 8 vatra janë ende aktive, zonat më problematike. S'ka rrezik për zonat e banuara

Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin e situatës së zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit. Sipas të dhënave zyrtare, janë raportuar gjithsej 33 vatra zjarri, nga të cilat 8 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 5 të tjera janë në monitorim.

Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 535 forca operacionale dhe 51 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 100 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Aktualisht, në terren janë të angazhuar 120 forca ushtarake, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

* Mali i Dajtit, Tiranë – vijon puna me 15 efektivë të MZSH, 10 forca të ADZM, 50 efektivë të FA dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatrat në Priskë dhe Vakumone janë nën kontroll dhe po monitorohen.

* Gurë-Lurë, Dibër – vijon një angazhim i gjerë me 115 forca bashkiake, 13 policore, 11 ADZM, 14 efektivë MZSH, 7 vullnetarë dhe 50 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Korridoret e hapura në terren kanë penguar përhapjen e zjarrit drejt banesave dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

* Qafë Helmës dhe Bruç – puna vijon në terren të vështirë; nga krahu i Bulqizës zjarri në Qafë Helmës është fikur dhe mbetet aktiv vetëm drejt Selishtës. Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat.

* Lufaj, Mirditë – vijon puna e forcave operacionale pas hapjes së korridoreve ndarëse, me mbështetje edhe nga 1 helikopter i Forcës Ajrore.

* Fushë-Lajë, Pukë – në operacion janë 10 efektivë zjarrfikës, 16 forca bashkiake dhe 40 efektivë të FA. Zjarri nuk paraqet intensitet të lartë dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Rrjoll, situata monitorohet nga afër edhe me dron dhe po ashtu nuk ka rrezik për banesat.

Situata po ndiqet në mënyrë të vazhdueshme nga AKMC, me angazhim të koordinuar të strukturave qendrore dhe vendore dhe me përqendrim të kapaciteteve tokësore e ajrore në vatrat që kërkojnë ndërhyrje më intensive.