AKTUALITET, 16 August 2026, 21:35

Protestuesi: DASH të shpallë non grata politikanët! Kanë lënë tokat djerrë, Vuçiç shet grurë në Myzeqe

Një prej protestuesve në tubimin e së dielës në Tiranë ka bërë thirrje që Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) të shpallë “non grata” kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, si dhe politikanë të tjerë shqiptarë.

Duke folur gjatë protestës, qytetari akuzoi qeverinë për keqmenaxhim të tokave bujqësore dhe për dëmtimin e interesave të vendit.

“Rama ka shkelur gjakun e dëshmorëve bashkë me Taulant Ballën”, u shpreh protestuesi, ndërsa iu drejtua edhe kryeministrit Edi Rama me kritika për marrëdhëniet me Serbinë.

Sipas tij, një sipërfaqe e madhe e tokave bujqësore në Shqipëri ka mbetur djerrë, ndërsa gruri dhe mielli importohen nga Serbia.

“Qindra mijëra hektarë tokë i ka lënë djerrë dhe shet Vuçiç grurë dhe miell në Myzeqe. Kjo është skandaloze”, deklaroi ai.

Protestuesi kërkoi gjithashtu largimin e qeverisë dhe masa ndëshkuese ndaj politikanëve që, sipas tij, kanë dëmtuar vendin.

“Ambasadori amerikan dhe DASH t’i bëjë politikanët non grata pa afat, derisa t’u merret çdo qindarkë. Taulant Ballës dhe familjes t’i bëhet non grata”, tha ai.

Deklaratat u bënë gjatë protestës së zhvilluar këtë të diel në Tiranë, ku vijojnë thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.