AKTUALITET, 16 August 2026, 17:18

Porositi ekzekutorin grek për vrasjen e Devi Kasmit, i dënuar me burgim të përjetshëm. Kush është Aurel Hoxhallari, “truri” i grupit kriminal që u ekstradua sot nga Rumania

Aurel Hoxhallari, 49 vjeç, është ekstraduar sot nga Rumania drejt Shqipërisë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ndaj tij rëndon një dënim me burgim të përjetshëm. 

Hoxhallari është dënuar nga Gjykata e Posaçme   Për vrasjen e Devi Kasmit, të kryer më 29 janar 2018 në rrugën “Kongresi i Manastirit” në Tiranë. Sipas hetimeve të SPAK, ai kishte rolin e organizatorit dhe porositësit të ekzekutimit, ndërsa për vrasjen është dënuar me burgim të përjetshëm edhe shtetasi grek Ethimios Efthimiou, i akuzuar si ekzekutori me pagesë.

Përveç dënimit për vrasjen, Hoxhallari është shpallur fajtor edhe për një sërë veprash të tjera penale, përfshirë mbajtjen dhe prodhimin e paligjshëm të armëve e municioneve, prodhimin dhe shitjen e narkotikëve, kultivimin e tyre dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal. Pas bashkimit të dënimeve, masa përfundimtare ishte burgim i përjetshëm. 

Emri i Aurel Hoxhallarit ishte bërë i njohur për autoritetet shqiptare edhe më herët. Në vitin 2015, ai dhe kushëriri i tij, Elton Hoxhallari, u arrestuan si të dyshuar për porositjen e vrasjes së Pajtim Sejranit në Tiranë, por më pas u liruan për mungesë provash. Në një tjetër procedim, pasuritë e lidhura me Hoxhallarin dhe persona të afërt me të janë vendosur nën sekuestro me kërkesë të SPAK. Bëhet fjalë për banesa, magazina dhe objekte në zona të ndryshme të Tiranës, disa prej të cilave kanë kaluar edhe në proces konfiskimi.

Ekstradimi i tij nga Rumania është kryer në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”. Hoxhallari ishte arrestuar nga autoritetet rumune me qëllim ekstradimin në Shqipëri, ndërsa procedurat për dorëzimin e tij janë ndjekur nga Interpol Tirana në bashkëpunim me autoritetet rumune.