AKTUALITET, 16 August 2026, 20:45

“Nga Amerika në Australi”, emigranti nga Gjermania: Shqiptarët nuk e duan më këtë pushtet dhe opozitë

Një emigrant shqiptar nga Gjermania ka mbajtur fjalën para protestuesve të mbledhur përpara Kryeministrisë, duke vënë theksin te mbështetja e diasporës për protestat që po zhvillohen në Shqipëri. 

Ai tha se shqiptarët që jetojnë jashtë vendit po protestojnë në mënyrë të vazhdueshme, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa deri në Australi.

Sipas tij, deri tani janë zhvilluar rreth 300 protesta të diasporës, ndërsa theksoi se shqiptarët jashtë vendit do të vijojnë të mbështesin qytetarët në Tiranë.

“Diaspora nuk është vetëm këto tre ditë, një herë në muaj, por çdo ditë me ju. Në diasporë zhvillohen protesta çdo javë pa pushim. Në protestat tona nuk perëndon dielli”, u shpreh emigranti.

Ai deklaroi gjithashtu se kërkohet largimi i pushtetit aktual dhe kritikoi edhe opozitën, duke thënë se shqiptarët nuk janë të kënaqur me mënyrën se si po funksionojnë institucionet politike.

Në fjalën e tij, emigranti akuzoi qeverinë për ndërtimin e asaj që e cilësoi si një “kala gënjeshtrash”, e cila sipas tij do të rrëzohet “gur më gur”.

Ai pretendoi gjithashtu se protestat kanë marrë mbështetje nga Parlamenti Evropian dhe se kanë ndikuar që disa funksionarë të politikës të distancohen nga qëndrimet e mëparshme.