LIFESTYLE, 11 Maj 2023, 10:02

Propozim si në përralla në shkretëtirën e Dubait, historia e dashurisë e çiftit shqiptar në Santorini

Propozim si në përralla në shkretëtirën e Dubait,

Lorena Xhaferaj dhe Erges Pina janë një çift me një histori shumë të bukur dashurie.

Në një lidhje me Skype nga Greqia, vendi ku ata jetojnë, Lorena tregoi si janë njohur. Ajo theksoi se që në fillim i janë përputhur mendimet.

“Ne kishim një shoqëri të përbashkët që atëherë. Shoqëria më uroi për ditëlindje dhe postoi foto. Ditën tjetër, Gesti e kishte parë nga shoqëria dhe më dërgon një mesazh, më uron, normalisht ia ktheva. Aty vazhdoi njohja jonë, vazhdoi të flisnim, më pas pastaj Gesti erdhi në ishull, filluam ato daljet tona të para. Bisedat ishin shumë interesante, shumë herë mendimet na përputhen shumë”, u shpreh Lorena.

Më tej, ajo foli dhe për propozimin si në përralla që Gesti i bëri në shkretëtirën e Dubait, që për të ishte shumë e papritur.

Nuk e prisja në fakt se ishulli këtu është shumë i bukur dhe prisja një propozim këtu, por në shkretëtirë nuk e kisha imagjinuar ndonjëherë. Nuk kam fjalë ta përshkruaj atë moment, ishte shumë super.

Perëndimi ishte shumë i bukur dhe Gesti që po dridhej i gjithi dhe po thoshte: ‘Hajde, hajde, të bëjmë ca foto, sa është dielli lart’, sepse kishim aktivitet tjetër për të bërë, për të parë një shfaqje.

Edhe unë s’po gjeja pozicion të bëja foton dhe kur shikoj një moment që ai ulet. Edhe s’po e kuptoja se pash edhe një kamera, vetëm kur e pash që nxorri unazën, mbeta, nuk lëvizja. Ishte shumë emocionues, nuk po mblidhja dot veten dhe më vonë kur pam shfaqjen e ‘belly-dancing’”, tha Lorena.