LIFESTYLE, 24 Nëntor 2021, 09:12

Historia e shqiptares që u dashurua me priftin italian

Historia e shqiptares që u dashurua me priftin italian

Një histori sa e pazakontë aq dhe e bukur u trajtua këtë të mërkurë në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”.

Albana Ruci emigroi drejt Italisë në vitet ’99, ku u njoh me Giuseppe Serrone, asokohe prift.

Ata dashurohen me njëri-tjetrin, vendosin të martohen dhe më pas nis një kalvar i gjatë vuajtjesh për ta.

Në një lidhje me Skype për “ABC-ja e mëngjesit”, Albana tregoi se gjatë kohës që ai ishte prift nuk kishin pasur raport tjetër përveçse miqësor.

Ata erdhën në Shqipëri në mënyrë që të bënin sa më shpejt dokumentat për lejen e qëndrimit në Itali, por në shtypin italian u raportua se prifti ishte arratisur me një vajzë shqiptare.

“Me Giuseppen nisi si një miqësi. Fillova të shkoja në shtëpinë e priftit së bashku me nënën pasi theu duart dhe i duhej një njeri që ta ndihmonte.

Në atë periudhë po përgatitesha për permmesson, u detyrova për të ardhur në Shqipëri dhe më pas erdhi dhe Giuseppe për të më ndihmuar.

Giuseppe erdhi, duhej të takonte por në konsullatën në Shqipëri doli një punë e papritur, mori në telefon për të zëvendësuar priftin të dielën që ishte mesha.

Ndodhi që nuk u zëvendësua dhe në shtypin italian del se prifti është arratisur me një vajzë nga Shqipëria dhe nuk dihej se ku gjendet.”, tregoi ajo.

“Ne kishim një lidhje miqësore, respekt për njëri-tjetrin, nuk kishim lidhje dashurie për një jetë të dyfishtë apo ashtu si përpiqeshin të më trajtonin si e dashura e priftit ndërkohë që Giuseppe ishte famulltar.

Ishte një njeri që për mua kishte bërë shumë, më kishte dhënë mundësinë që të integrohesha në realitetin italian.”, tregoi ajo.