AKTUALITET, 24 September 2026, 09:11

Detaje/ Nuk u mbijetoi plagëve, ndërron jetë në spital 49-vjeçari. Autori: Debatuam në lokal, shkova në shtëpi dhe mora thikën!

Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë 49-vjeçari Kreshnik Cara, i cili mbeti i plagosur me thikë pas një konflikti në rrugën “Sami Frashëri” në kryeqytet.

Pavarësisht ndihmës mjekësore, Cara nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra në pjesën e barkut.

Autori i dyshuar i ngjarjes është identifikuar si shtetasi Toni Nake.

Përmes një njoftimi të dytë, Policia e Shtetit konfirmoi vdekjen e 49-vjeçarit, ndërsa bëri me dije se grupi hetimor vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, ju informojmë se shtetasi K. C., 49 vjeç, i cili u plagos me mjet prerës, pavarësisht ndihmës mjekësore të marrë, ka ndërruar jetë në spital. Grupi hetimor vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit”.

Toni Nake, autori i dyshuar i vrasjes së 49-vjeçarit Kreshnik Cara, është marrë në pyetje nga grupi hetimor, për të zbardhur rrethanat e konfliktit që përfundoi me vrasjen e tij mbrëmjen e së mërkurës në rrugën “Marko Boçari” në Tiranë.

Në dëshminë e tij, 50-vjeçari ka deklaruar se ndodhej në të njëjtin lokal me Kreshnik Carën, por në tavolina të ndryshme. Sipas tij, gjithçka nisi pas një debati të çastit. Fillimisht, të dy janë konfliktuar me fjalë, ndërsa më pas Nake ka shkuar në banesën e tij, ka marrë një thikë dhe është kthyer në lokal, ku ka goditur disa herë 49-vjeçarin në bark. Në momentin e konfliktit, Kreshnik Cara ndodhej në tavolinë me një mikun e tij.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se Toni Nake njihet si përdorues i lëndëve narkotike. Edhe në deklarimet e dhëna para grupit hetimor, ai nuk ka qenë i qëndrueshëm në dëshminë e tij, ndërsa ka pretenduar se ishte bullizuar shpesh.

Hetuesit po verifikojnë dëshminë e autorit dhe dinamikën e plotë të konfliktit, për të përcaktuar motivin dhe rrethanat që çuan në vrasjen e 49-vjeçarit.