TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha kërkoi sot nga drejtuesit dhe strukturat e PD-së angazhim më të madh në mbështetje të protestës qytetare dhe në procesin e ripërtëritjes së PD-së.
Gjatë mbledhjes së kryesisë dhe sekretariateve të PD-së, Berisha u bëri thirrje demokratëve që të afrohen më shumë me qytetarët, anëtarët dhe mbështetësit e opozitës.
Kreu i PD-së tha se opozita duhet të rrisë angazhimin dhe qëndresën e saj.
“Mbështetja e kësaj proteste është detyrë madhore e PD. Anëtarët, mbështetësit e saj, me qindra dhe mijëra, janë pjesëmarrës në këtë protestë. Dhe unë dhe të gjithë së bashku u njohim atyre një meritë shumë të madhe. Dhe ju të gjithë pa përjashtim, përveçse dy-tre veta që mund të bëhen problem për simbolikën qytetare, të gjithë të tjerët së bashku me zgjedhësit tuaj, mbështetësit tuaj, anëtarët tuaj, duhet të jeni në atë protestë”, tha ai.
Berisha theksoi se PD duhet të bëjë çdo përpjekje për të qenë një forcë politike funksionale dhe e ripërtërirë.
“Për ne është jetike të japim çdo kontribut, të bëjmë çdo përpjekje për një PD funksionale. Për një PD të ripërtërirë. Të bëjmë çdo përpjekje që të përballemi me këtë regjim me eficiencën dhe qëndresën më të madhe”, tha Berisha.
Berisha e cilësoi situatën aktuale si një moment të rëndësishëm për Partinë Demokratike, duke nënvizuar nevojën për një angazhim më të madh të strukturave në terren dhe për forcimin e lidhjeve me mbështetësit e saj.