TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj ka komentuar dosjen e SPAK që çuan në arrestimin e drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni për nxjerrjen e sekreteve shtetërore tek Ergys Agasi, i akuzuar si kreu i një grupi kriminal që vepronte tek AKSHI.
Sipas Shehajt, detajet e dosjes i ngjajnë një telenovele të neveritshme sipas së cilës, pushtetarët e sotëm janë në luftë se kush do vjedhë më shumë.
Kreu i Mundësia shprehet se dosja e SPAK zbulon një panoramë degjenerimi se ku ka përfunduar mazhoranca aktuale nga etja për pushtet e para.
"Vlora do Gysin. Gysi nuk do Belën. Por Bela do Taon. Tao do të bëhet Kryetar i Kuvendit. Edi Rama do vetëm veten e vet. Ky është degjenerimi që del nga përgjimet e SPAK-ut. Pamja që vjen nga këto përgjime është skandaloze. Po shqyhen, si kafshë, kush të përfitojë më shumë nga pushteti, kush t’i vjedhë më shumë qytetarëve shqiptarë. Nuk janë përplasje parimore apo ideologjike. Janë përplasje për pushtet, për para, kush të vjedhë më shumë. Një mazhorancë që ka vetëm një qëllim: të përfitojë nga pushteti",- shprehet Shehaj.
Sipas Shehajt, politikanëve të korruptuar iu ka dalë boja dhe se qytetarët nuk duhet të ndalen së kërkuari largimin e kësaj qeverie.
"Po iu del boja dhe po prekin fundin. Duhet të vazhdojmë të rezistojmë. Duhet të vazhdojmë të protestojmë. Duhet të vazhdojmë të kërkojmë largimin e kësaj qeverie të korruptuar",- e mbyll reagimin e tij Shehaj.