TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë që ndodhi disa ditë më parë në Itali, ku mbeti i vrarë 36-vjeçari shqiptar Gjovalin Lasri. Një shtetas italian e qëlloi me armë zjarri, pasi dyshohet se ai dhe persona të tjerë kishin hyrë në banesën e tij për të grabitur.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës, 20 shtator, në Baldissero d’Alba, në provincën e Cuneos.
“Mirëmbrëma, jam Roberto Mollo. Kisha hajdutë në shtëpi, unë u mbrojta… njëri ka vdekur”, këto janë fjalët e para të telefonatës që 35-vjeçari Roberto Mollo, i cili punon si shofer kamioni, bëri në numrin e emergjencës 112, pasi qëlloi ndaj një grupi grabitësish që tentuan të hynin në banesën e tij.
Mollo ka qëlluar 13 herë me armë zjarri ndaj personave që po tentonin një vjedhje në një shtëpi në rikonstruksion ku ai jetonte. Një prej plumbave goditi Gjovalin Lasrin, i cili humbi jetën.
Telefonata e Mollo-s me 112 është bërë publike, ku dëgjohet ai duke i shpjeguar operatorit situatën.
“Kam pasur frikë, jam i dëshpëruar. Po më silleshin nëpër shtëpi. Unë jam i armatosur, u mbrojta. Tani është një person në tokë, nuk e di nëse ka vdekur. Ky person ishte i maskuar, ishte jashtë në oborr. E mbylla derën, por u tremba dhe qëllova”, tha ai.
Lasri u gjet pranë daljes së oborrit
Gjovalin Lasri u gjet pranë daljes së oborrit të banesës. Ai kishte veshur një kapuç, doreza dhe mbante një elektrik dore. Gjatë kontrollit, në xhepat e tij u gjet edhe një kaçavidë, ndërsa kishte me vete rreth 2 mijë euro.
Hetuesit po verifikojnë nëse paratë mund të kenë lidhje me grabitje të tjera.
Sipas dyshimeve të para, grupi që kishte vepruar në Baldissero d’Alba mund të ketë qenë pjesë e një bande grabitësish në lëvizje, të cilët udhëtojnë në zona të ndryshme dhe kryejnë disa vjedhje brenda së njëjtës natë.
Hetuesit: Po verifikohet nëse shqiptari po largohej
Një nga elementet kryesore që po shqyrtohet tashmë nga hetuesit është pozicioni i Lasrit në momentin kur u qëllua.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, shqiptari mund të jetë goditur ndërsa po largohej nga prona. Të shtënat dyshohet se janë kryer nga një distancë prej rreth 30 deri në 40 metrash.
Në trupin e 36-vjeçarit janë konstatuar dy vrima në zonën mes qafës dhe shpatullës. Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për dy plumba të ndryshëm apo për një predhë që ka hyrë dhe ka dalë nga trupi.
Për këtë arsye, ekspertiza balistike dhe rindërtimi i vendit të ngjarjes pritet të kenë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e dinamikës së saktë.
Autopsia zgjati më shumë se tre orë
Autopsia e trupit të Gjovalin Lasrit ka zgjatur më shumë se tre orë. Ekzaminimi mjeko-ligjor është kryer për të përcaktuar me saktësi shkakun e vdekjes dhe trajektoren e plumbave.
Ekspertët po analizojnë gjithashtu pozicionin e plagëve dhe dëmtimet e shkaktuara nga të shtënat. Rezultatet përfundimtare pritet të ndihmojnë hetuesit në rindërtimin e sekondave të fundit para se shqiptari të humbte jetën.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe disa elektrikë dore, ndërsa po shqyrtohet nëse Mollo ka qëlluar në errësirë apo ka drejtuar armën në drejtim të dritave që mbanin personat e dyshuar për grabitjen.
Mollo nën hetim edhe për personat e tjerë
Hetimi ndaj Roberto Mollo-s nuk lidhet vetëm me vdekjen e Gjovalin Lasrit. Autoritetet po shqyrtojnë gjithashtu përdorimin e armës ndaj personave të tjerë që ndodheshin në zonë.
Sipas hetuesve, pjesëtarët e tjerë të grupit u larguan nga vendi i ngjarjes pas të shtënave. Ata dyshohet se ishin tre ose katër persona, ndërsa identiteti dhe vendndodhja e tyre ende nuk janë përcaktuar.
Për këtë arsye, ndaj Mollo-s po shqyrtohet edhe një akuzë për tentativë vrasjeje në lidhje me personat e tjerë të grupit.
Edhe arma po kontrollohet nga autoritetet
Në kuadër të hetimit po analizohet edhe arma e përdorur nga 35-vjeçari. Bëhet fjalë për një pistoletë gjysmëautomatike Steyr 9x21, e cila ishte e regjistruar.
Megjithatë, hetuesit po verifikojnë kushtet në të cilat Mollo e mbante armën dhe nëse përdorimi i saj në banesën ku ndodhi ngjarja ishte në përputhje me lejen që kishte.
Një nga çështjet kryesore që mbetet për t’u sqaruar është nëse personat e dyshuar për grabitjen ishin ende duke tentuar të hynin në banesë në momentin e të shtënave apo nëse ishin duke u larguar.
Ekspertiza balistike, rezultatet e autopsisë dhe rindërtimi i plotë i vendit të ngjarjes pritet të ndihmojnë autoritetet italiane për të përcaktuar dinamikën e saktë të ngjarjes dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.
Ndërkohë, Roberto Mollo vijon të jetë nën hetim në gjendje të lirë, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e vrasjes së 36-vjeçarit shqiptar.