AKTUALITET, 23 September 2026, 21:59

ASHK vijon verifikimet në terren për banesat pa dokumentacion pronësie, Rama publikon pamje nga procesi

Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) vijon punën në terren për evidentimin dhe trajtimin e banesave pa dokumentacion pronësie, nga banesat e vjetra të ndërtuara para vitit 1991, deri te ndërtimet informale.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot pamje nga puna në terren, duke theksuar vijimin e procesit për adresimin e problematikave të pronësisë.

“Vijon puna për evidentimin dhe trajtimin e banesave pa dokumentacion pronësie, nga shtëpitë e vjetra të ndërtuara para vitit 1991, te banesat informale”, shkruan Rama, në një postim në rrjetet sociale.

Në videon e ndarë nga Kryeministri, qytetarët e përfshirë në proces shprehen shumë të lumtur që po realizohet hipotekimi. “Jemi shumë të lumtur që po bëhet realitet ëndrra jonë. Ju falënderojmë shumë për këtë”, u shpreh një qytetar.

“Kjo është edhe për ndërtesat pas vitit ’91, pra ndërtesat informale. Kemi grupet e terrenit. Kemi nisur nga Palasa, kemi nisur me Bashkinë Himarë. Jemi në nëntë fshatra dhe do të vazhdojmë të përmbyllim procesin në 24 fshatrat”, tha Luara Saro, kreu i Agjencisë Shqiptare të Kadastrës.

Sipas ASHK-së, ekipet e institucionit ndodhen këto ditë në fshatin Sul të Devollit, ku do të vijojnë punën deri më 25 shtator. Gjatë kësaj periudhe, ekipet kryejnë verifikimet pranë banorëve dhe evidentojnë banesat që përfshihen në proces.

ASHK u ka bërë thirrje banorëve të jenë të pranishëm gjatë procesit të evidentimit, në mënyrë që verifikimet të kryhen në terren dhe të vijojnë procedurat përkatëse.

Në proces mund të përfshihen edhe banorët që nuk kanë kryer më parë aplikimin për trajtimin e objektit pa titull pronësie.

Procesi synon të adresojë problematikat e pronësisë për banesat e vjetra dhe banesat informale, përmes evidentimit, verifikimit në terren dhe ndjekjes së procedurave administrative përkatëse.