BALLKAN, 5 Mars 2023, 17:05

"Kam ardhur nga Amerika, këtu të ngrohet shpirti"/ Qindra vizitorë në Prekaz: Kontributi i familjes Jashari është i jashtëzakonshëm

"Kam ardhur nga Amerika, këtu të ngrohet shpirti"/ Qindra
Monumenti në Prekaz

Qindra qytetarë nga treva të ndryshme shqiptare sot vizituan Prekazin, me rastin e 25-vjetorit të rënies heroike të familjes Jashari. Ata theksuan se Prekazi është vend frymëzues dhe se kontributi i familjes Jashari nuk mund të shprehet me fjalë.

Prekazin heroik e vizitoi edhe artisti Arian Agushi, i cili u shpreh se gjaku i familjes Jashari nuk duhet të humbet dhe se dhe “ne e kemi si një lloj amaneti që duhet ta dërgojmë në vend”.

Agushi tha se Prekazi nuk duhet të vizitohet vetëm për Epopenë e UÇK-së dhe se ky vend e inspiron për shkrimin e teksteve.

“Çdo herë që vijmë këtu ndjenja dhe emocioni gjithmonë është e vecantë. Nuk duhet të lihet të vijmë vetëm për Epope, por më shpesh. Sakrifica e tyre është temë që mos të gabojmë në hapat që i ndërmarrim secili në profesionin e tyre. Është arsyeja më e madhe që vijë shumë shpesh këtu dhe është inspirimi i madh për këngët që i bëj gjithmonë. Nganjëherë kur mbes pa inspirim, vijë këtu e vizitoj Prekazin, në përgjithësi Drenicën… Për kontributin e tyre sado që flitet, nuk mundet të shprehet me fjalë, as me intervista ndoshta as me libra dhe as me kënge… Gjaku i tyre nuk duhet të humbet dhe ne jemi ata që e kemi si një lloj amaneti që duhet ta dërgojmë në vend sakrificën dhe dëshirën e tyre që e kanë pasur për lirinë e vendit”, u shpreh ai.

"Kam ardhur nga Amerika, këtu të ngrohet shpirti"/ Qindra

Prekazi u vizitua edhe nga qytetarë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Meqan Zotaj, nga Mallakastra tha se Prekazi është një ndër vendet frymëzuese se si duhet dashur atdheu dhe se si duhet të kontribuohet për të.

“Çdo gjë që ne e bëjmë një përditshmëri është një zero në krahasim me sakrificën e kësaj familje madhështore dhe popullit të Kosovës në përgjithësi. Çuditem që sa herë vijë se si polikanët vijnë dhe përulen këtu dhe mbas këtu shkojnë nënshkruajnë marrëveshje të dhimbshme me kriminelë, të cilët masakruan këtë familje. Është me të vërtetë e trishtueshme”, tha ai.

E Arben Kasa, qytetar nga Maqedonia tregoi se është hera e parë që viziton Prekazin dhe se për këtë ditë ka ardhur nga Amerika. Ai tha se kontributi i Jasharëve është i jashtëzakonshëm.

“Kam ardhur nga Amerika, pikërisht për këtë vend të shenjtë që shqiptaria duhet të krenohet. Është vendi mega e shqiptarëve, është vend ku të ngrohet shpirti dhe kupton që vendi ynë ka histori, dhe që vendi ynë ka shumë ballafaqime me shumë armiq brenda historive. Jemi të emocionuar dhe shumë të gëzuar. Unë vijë për herë të parë, dhe ndjehem shumë i lumtur…Kontributi i Jasharëve, është një kontribut i jashtëzakonshëm… Një kontribut që neve na bën, sidomos neve gjeneratave të reja që këta kanë bërë punën me pushkë dhe neve na mbetet ta bëjmë me pendë”, tha ai për KosovaPress.

Ndërsa, Berat Peci nga Mitrovica, potencoi që arsyeja e vizitës së sotme nuk është rastësi, duke shtuar se ndihet borxhli ndaj familjes Jashari për kontributin e dhënë.

“Nuk është rastësi që ne sot jemi këtu, ne kemi ardhur ta nderojmë këtë ditë, këtë familje dhe viktimat që kanë rënë. Duke ardhur ne diskutuam, duke e kthyer kohën dhe duke biseduar se si ata kanë mundur ta bëjnë atë vepër dhe qysh ata e kanë bindur vetën të sakrifikohen deri në këtë ditë që ne sot të jemi të lirë dhe të dalim lirshëm, dhe ta gëzojmë jetën…Ndjehem që u jemi borxhli tërë Kosova tërë jetën për këtë që kanë bërë për neve”, theksoi ai.

Në 25-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar, Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars do të organizojë manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.