BALLKAN, 5 Mars 2023, 08:18

Aksident në Kosovë, një i vdekur dhe katër të plagosur

Aksident në Kosovë, një i vdekur dhe katër të plagosur

Një grua ka humbur jetën dhe katër persona të tjerë janë plagosur në Autostradën “Ibrahim Rugova”, pranë Fushë Kosovës gjatë natës. Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxhaj, i cili ka thënë se në aksident janë përfshirë dy automjete.

“Më datën 04.03.2023 rreth orës 21:45 në autostradën ‘Ibrahim Rugova’ në hyrje-dalje Mazgit-Fushë Kosovë është shkaktuar një aksident trafiku me fatalitet, ku raportohet se një person (femër) ka humbur jetën dhe katër persona të tjerë kanë marrë lëndime trupore”, ka thënë Hoxhaj.

Autoritetet kanë nisur punën për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit të rëndë.

“Në vend ngjarje ka dalë njësia e hetimeve, drejtori i divizionit rrugor të Policisë së Kosovës dhe është njoftuar prokurori kujdestar i cili ka dalë po ashtu në vendngjarje dhe hetimet për të identifikuar shkaqet e këtij aksidenti janë duke u kryer nga kompetentet”, shprehet Hoxhaj.