BALLKAN, 5 Korrik 2025, 22:49

Alarmi për bombë në Kuvend, Policia e Kosovës: Kërcënimi erdhi nga një numër që dyshohet të jetë nga Serbia

Alarmi për bombë në Kuvend, Policia e Kosovës:

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është në zhvillim të hetimeve intensive pas një kërcënimi me mjet shpërthyes ndaj Kuvendit të Kosovës, që ndodhi paraditen e sotme.

Sipas njoftimit zyrtar, kërcënimi është bërë përmes një thirrjeje telefonike nga një numër që dyshohet të jetë nga Serbia. Në bashkëpunim me institucionet vendore të sigurisë dhe me prokurorinë kompetente, policia ka marrë të gjitha masat për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

“Hetimet janë në fazë intensive dhe përfshijnë edhe bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë, për të gjurmuar burimet dhe rrjetet e komunikimit të përdorura,” thuhet në deklaratë.

Autoritetet kanë siguruar se siguria e institucioneve shtetërore dhe qytetarëve është prioritet dhe se rasti po trajtohet me seriozitet të plotë.