BALLKAN, 5 Korrik 2025, 14:06

U ndërpre pas alarmit për bombë, vijon seanca për konstituimin e Kuvendit në orën 20:00

U ndërpre pas alarmit për bombë, vijon seanca për

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, Arben Loshi, ka bërë të ditur se seanca konstituive, e cila ishte planifikuar të mbahej sot në ora 11:00, do të vazhdojë punimet në ora 20:00. Shtyrja e seancës u bë pas kërcënimit me bombë, ku policia ka urdhëruar që deputetët dhe stafin e Kuvendit të evakuohen.

“Seanca konstituive e përcaktuar sot për orën 11:00, pas alarmit për bombë, i vazhdon punimet në ora 20:00 sipas njoftimit të kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari,” tha Loshi.

Policia tha se kërcënimin me bombë në Kuvend u dërgua me mesazh. Gjithashtu deklaruan se ka angazhuar njësitë kompetente për adresimin e këtij rasti pasi ka evakuuar gjithë të pranishmit nga godina

“Me të pranuar informatën, janë angazhuar njësitë kompetente policore, të cilat fillimisht kanë bërë perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar personat nga objektet”, ka konfirmuar policia.

Policia e Kosovës, ka njoftuar prokurorinë kompetente dhe hetuesit policorë të cilët së bashku me njësitë dhe ekspertët përkatës për deminim, janë duke marrë veprimet e duhura të kontrollit në objekt.