TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një i ndaluar për dhunë në familje, dyshohet se ka kryer vetëvrasje në stacionin policor të Suharekës. Për këtë rast, tre policë janë pezulluar përkohësisht, ndërsa IPK dhe Prokuroria po hetojnë rrethanat.
Supozohet që stacionet policore të jenë vende me nivel të lartë të sigurisë.
Por ai në Suharekë u kthye në një skenë krimi, pasi brenda dyshohet se një i ndaluar, i dha fund jetës së tij, të premten.
Ngjarja ka ndodhur brenda këtij stacioni të policisë në orët e hershme të mëngjesit ndërsa personi ishte i ndaluar brenda. Policia nuk ka dashur të japë detaje duke thënë se gjithçka i takon Prokurorisë dhe IPK-së.
Lajmin e ka konfirmuar Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu i cili ka bërë të ditur se tani i ndjeri, ishte i njohur për organet e rendit.
”Personi ka qenë në mbajtje për 48 orë me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit të Departamentit të Përgjithshëm. Bëhet fjalë për vepër penale të dhunës në familje ku dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij. Për ne ka qenë person i njohur sepse ka disa raste, të regjistruara, shumë prej tyre dhunë në familje, edhe në prokurori dhe ka aktgjykime renduese. Ajo qa ka ndodhë është që dyshohet se ka vetëvrasje në bazë të informatave të deritanishme”, ka thënë Petrit Kryeziu, Kryeprokuror i Prizrenit.
Në ndërkohë, detaje se si dyshohet të jetë kryer vepra ka dhënë Inspektorati i Policisë së Kosovës.
Ndërsa ndaj zyrtarëve të atij ndërrimi, u morën masa duke i suspenduar.
”Kjo kërkesë për suspendim të përkohshëm dhe në interes të hetimit, mbështetet në rrethanat e krijuara nga vdekja tragjike e një të ndaluari si i dyshuar për një rast të dhunës në familje e i cili sipas të dhënave dhe hetimeve preliminare, dyshohet se është vetë-ngulfatur brenda dhomës së ndalimit në stacion policor. Bazuar në pozitat dhe përgjegjësitë konkrete të zyrtarëve në fjalë, dhe nga veprimet e ndërmarra hetimore, në këtë fazë ekziston dyshimi i arsyeshëm se me veprimet apo mosveprimet e tyre nga zyrtarët policorë mund të ketë pasur neglizhencë të mundshme në përmbushjen e detyrave zyrtare, veçanërisht në aspektin e garantimit të sigurisë së personit të ndaluar”, ka thënë Inspektorati i Policisë së Kosovës.
Gjersa IPK vazhdon me hetimin e rrethanave, rasti është cilësuar si “hetim i vdekjes”.