TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka ngritur alarmin për rënien e ndjeshme të lindshmërisë në vend dhe ka bërë të ditur se qeveria po shqyrton mundësinë e vendosjes së taksave shtesë për personat që nuk janë të martuar.
Gjatë një aktiviteti qeveritar, Mickoski deklaroi se vendi po përjeton një krizë të thellë demografike, me më shumë vdekje sesa lindje, ndërsa shumë qytetarë po largohen jashtë vendit. “Seriozisht po mendojmë për vendosjen e një takse për të pamartuarit dhe të pamartuarat,” u shpreh ai.
Sipas të dhënave të publikuara, në vitin 2024 në Maqedoninë e Veriut kanë lindur 16.061 fëmijë dhe kanë vdekur 20.201 persona, duke sjellë një rënie natyrore të popullsisë me 4.140 vetë brenda një viti. Në katër vitet e fundit, shteti ka humbur mbi 33 mijë banorë – shifra që i përngjan zhdukjes së një qyteti të tërë si Kavadari apo Kërçova.
Mickoski theksoi se norma e lindjeve ka rënë nga 12,5 për mijë në vitin 2010, në vetëm 8,8 për mijë në vitin 2024. Ai shtoi se shumë komuna janë drejt boshatisjes, ku nuk regjistrohen më as klasa të para dhe gjithnjë e më shumë qytetarë jetojnë vetëm.
“Kjo nuk është vetëm një çështje maqedonase – është një sfidë europiane,” deklaroi kryeministri, duke theksuar nevojën për politika që e nxisin familjen dhe rininë në vend.