BALLKAN, 5 Korrik 2025, 12:59

“Një bombë brenda Kuvendit, shpërthen për 10 minuta”, si u njoftua kërcënimi që solli evakuimin në Prishtinë

“Një bombë brenda Kuvendit, shpërthen për 10

Kuvendi i Kosovës është evakuuar këtë të premte paradite pas një kërcënimi për bombë të bërë përmes një telefonate anonime në gjuhën angleze, që pretendonte se një mjet shpërthyes ishte vendosur brenda godinës dhe do të shpërthente brenda 10 minutash.

Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Arben Loshi, tha për mediat se thirrja alarmuese ishte bërë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në anglisht, duke kërkuar evakuimin e menjëhershëm të objektit.

“Një person ka telefonuar dhe në gjuhën angleze ka deklaruar se një bombë është vendosur në ndërtesë dhe do të shpërthejë brenda 10 minutash,” u shpreh Loshi.
Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit, Policia e Kosovës urdhëroi evakuimin e plotë të ndërtesës, përfshirë deputetët, gazetarët dhe stafin administrativ, teksa po përgatiteshin për nisjen e seancës konstituive të legjislaturës së re në orën 11:00.

Sipas njoftimit zyrtar, policia ka marrë informacionin fillestar përmes një mesazhi telefonik (SMS) dhe është vënë menjëherë në veprim, duke ngritur perimetrin e sigurisë dhe angazhuar njësitë e specializuara për deminim.

“Janë njoftuar prokuroria kompetente dhe hetuesit policorë të cilët, së bashku me ekspertët përkatës, po ndërmarrin veprimet e nevojshme për kontrollin e objektit”, tha Policia e Kosovës në një deklaratë zyrtare.
Hetimet për identifikimin e autorit të thirrjes dhe verifikimin e saktësisë së kërcënimit janë në vijim.