BALLKAN, 4 Korrik 2025, 21:33

Ngërçi ligjor rrezikon sektorin minerar në Kosovë, qindra kompani drejt falimentimit

Ngërçi ligjor rrezikon sektorin minerar në Kosovë, qindra

Mos-ndryshimi i Udhëzimit Administrativ, që lejon dhënien e tokave publike me qira, po rrezikon falimentimin e qindra kompanive të sektorit minerar në Kosovë. Një pjesë tashmë kanë ndalur punën. Kjo pasi atyre u ka skaduar licenca e sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, të njëjtat nuk ka se kush t’ua lëshojë deri në ndryshimin e këtij udhëzimi.

Qindra kompani të sektorit minerar në Kosovë po rrezikojnë të falimentojnë si pasojë e mos-ndryshimit me kohë të Udhëzimit Administrativ, i cili lejon dhënien e tokave publike me qira. Kompanitë minerare, bujqit e ato që kanë synuar të bëjnë investime në energjinë e ripërtërishme janë duke u përballur me mungesë të zhavorrit dhe betonit.

Këto dy materiale ato i kanë siguruar më parë nga tokat publike që u janë dhënë në shfrytëzim nga shteti. Por gjithçka ndryshoi me hyrjen në fuqi të Ligjit për Pronën Publike në nëntor të 2023-s.

Atëherë është dashur të bëheshin ndryshimet e nevojshme në Udhëzimin Administrativ për dhënien me qira të pronave publike, gjë e cila rregullonte edhe pjesën e licencimit.

Sot e kësaj dite, procesi ka mbetur i bllokuar në Ministrinë e Bujqësisë. Në mungesë të ndryshimeve të bëra, kompanive që u kanë skaduar licencat nuk po ka më se kush t’ua lëshojë të njëjtat.

Si rrjedhojë, nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrinë thonë se një pjesë e kompanive pritet të ndalin punën.

Kushtrim Ahmeti nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë tha për RTK se në momentin që kompanisë i skadon licenca ajo automatikisht duhet ta ndal punën e saj dhe me këtë rast duhet ti dërgojë të gjithë punëtorët e vet në shtëpi.

Në mungesë të lejes, kompania për gurthyerje e Tafil Shalës në Lipjan ka ndalur punën.

Tafil Shala, pronar i një kompanie thotë se ishte kthyer nga diaspora për të investuar në Kosovë, ndërsa tani është në prag të falimentimit.

Nga Ministria e Bujqësisë thanë se më 27 qershor kanë nxjerr vendim për formimin e grupit punues për hartimin e këtij Udhëzimi Administrativ.

Pas përfundimit të procedurave përkatëse sipas kësaj ministrie, Departamenti Ligjor e procedon tek Ministri përmes Sekretares së Përgjithshme për aprovim.

Derisa tokën publike në Kosovë nuk po arrijnë ta shfrytëzojnë, është rritur importi nga Serbia dhe Maqedonia.

Të dhënat e Doganës së Kosovës, tregojnë se deri në qershor të këtij viti nga këto dy shtete është importuar rërë nga silici apo kuarci në vlerë mbi 676 mijë euro.

Gjatë gjithë vitit 2024, importi nga këto dy shtete kishte vlerën e mbi 430 mijë eurove.