BALLKAN, 4 Korrik 2025, 23:02

Policia iu prishi planet, 15 të rinj ndalohen para përleshjes masive

Policia iu prishi planet, 15 të rinj ndalohen para përleshjes masive

Një përplasje e mundshme mes dy grupeve të rinjsh në Mitrovicën e Jugut është shmangur në kohë falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë së Kosovës. Pas informacioneve operative që sinjalizonin një konfrontim të planifikuar, njësitë policore kanë ndërhyrë në mbrëmje dhe kanë ndaluar pesëmbëdhjetë persona të dyshuar për përfshirje në organizimin e përleshjes.

Operacioni u zhvillua në dy lokacione të ndryshme të qytetit, ku policia arriti të identifikojë dhe neutralizojë të dyja grupet përpara se situata të dilte jashtë kontrollit. Personat e ndaluar janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim, në praninë e prindërve dhe përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale (QPS), duke respektuar procedurat për të miturit.

Policia njoftoi se hetimet janë duke vazhduar në koordinim me prokurorinë kompetente, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e ngritjes së akuzave për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

Përmes një komunikate zyrtare, Policia e Kosovës falënderoi qytetarët për bashkëpunimin dhe theksoi vendosmërinë për të parandaluar çdo përpjekje për dhunë në komunitet, duke garantuar siguri për të gjithë qytetarët.