AKTUALITET, 27 Maj 2023, 23:17

Vritet në Zvicër 37-vjeçarja nga Kosova nënë e 4 fëmijëve, policia arreston bashkëshortin e saj

Vritet në Zvicër 37-vjeçarja nga Kosova nënë e 4

Media zvicerane "Blick" shkruan se një grua 37 vjeçe nga Kosova është gjetur e vdekur në banesën e saj në Vevey VD.

Prokuroria tashmë ka hapur hetimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj vdekjeje, e cila dyshohet se mund të ketë ardhur si pasojë e dhunës në familje. Autori i dyshuar është partneri i saj, që është arrestuar.
Gjatë ditës së premte, shtetasi kosovar 42 vjeç është paraqitur në stacionin policor në kantonin e Bernës, duke pretenduar se kishte plagosur partneren e tij. Pas kësaj, policia zvicerane kishte shkuar në banesën ku gjendej gruaja.

Pasi kishin hapur derën me dhunë, policia kishte gjetur viktimën e cila ishte goditur disa herë me thikë dhe kishte ndërruar jetë.

Partneri i saj i dyshuar për vrasjen u arrestua menjëherë nga policia e Bernës dhe iu dorëzua autoriteteve të Vaud për procedime të mëtejshme. Katër fëmijët e viktimës po kujdeseshin nga familja.

Hetimet synojnë të zbardhin rrjedhën e ngjarjeve dhe motivet e mundshme të krimit në mënyrë që autoritetet të klasifikojnë saktë krimin.