AKTUALITET, 26 Mars 2023, 15:42

Veliaj sfidon "pyllin orbital" të faqes "Lolita", njofton se sapo mbolli pemën e 1 miliontë në Tiranë

Veliaj sfidon "pyllin orbital" të faqes "Lolita",

Erion Veliaj njoftoi sot me të madhe se sapo mbolli pemën e 1 miliontë. Ngjarja ishte paralajmëruar prej ditësh aq sa faqja satirike "Lolita" kishte nisur edhe fushatën me ndjekësit për të treguar se ku janë pemët e p***llit orbital, ndërsa ata iu përgjigjën me foto kullash dhe fjalë të ndyra për kryebashkiakun që ka firmosur qindra leje ndërtimesh nga qendra në periferi që kanë zaptuar lulishtet dhe kanë bërë kurban pemët.

"1 milion pemë në Tiranë !
FALEMINDERIT secilit prej qytetarëve që kanë mbjellë një pemë gjatë këtyre 8 viteve . Është një arritje e jashtëzakonshme për qytetin tonë . Por, misioni vazhdon, për të arritur në 2 milion pemë në 2030. Bashkë!", shkroi Veliaj në profilin e tij në Facebook, ndërsa stafi u angazhua të fshinte të gjitha komentet kundër, duke lënë vetëm ato të administratës, me duartrokitje.

Veliaj sfidon "pyllin orbital" të faqes "Lolita",

Por, duke sfiguar realitetin e betontë, Veliaj u shpreh se kishte numëruar çdo pemë të mbjellë.

"Nuk e di a e mbani mend, kush ka qenë në Tiranë para 7-8 vitesh, kjo hapësirë ishte e gjitha një landfill i madh, ku digjej plastikë. Vetëm këtu ka pasur 100 struktura pa leje, kurse sot është dyfishuar hapësira e Parkut të Liqenit. Mjafton të shikoni pemët që kanë çelur sythat e parë, për të kuptuar se ajo betejë dhe sakrificë ia vlejti. Në 2015 thamë se do të mbjellim 2 milionë pemë deri në 2030 dhe jemi vetëm në gjysmë të këtij misioni të jashtëzakonshëm”, u shpreh Veliaj para disa fëmijëve, të cilëve u tha se sot kanë 84 kënde lojërash, në secilën prej lagjeve të Tiranës, dhe një pjesë e madhe e mbjelljeve është bërë aty. Ai dha gjithashtu një tjetër lajm, atë të hapjes muajin e ardhshëm të Parkut të Farkës.