AKTUALITET, 21 Prill 2022, 13:29

Meta pritet nga Roberto Occhiuto: Të vendosim sa më parë linjën direkte ajrore Tiranë-Kalabri për të shumëfishuar lidhjet tona

Meta pritet nga Roberto Occhiuto: Të vendosim sa më parë

Presidenti Ilir Meta u prit në një takim presidenti i rajonit të Kalabrisë Roberto Occiuto.

Meta theksoi se arbëreshët dhe komuniteti shqiptar i pas viteve ’90-të në Itali qëndrojnë në themel të marrëdhënieve të shkëlqyera historike dhe tradicionale mes dy popujve e vendeve tona.

“Ruajtja e identitetit kombëtar, integrimi i plotë i Arbëreshëve dhe i komunitetit të ri shqiptar në jetën ekonomike, sociale, kulturore, intelektuale dhe përfshirja e tyre gjithnjë e më shumë në realitetin politik në Itali, duke ruajtur karakteristika të forta të identitetit të origjinës, u japin marrëdhënieve mes nesh një dimension tjetër të veçantë”, – u shpreh Kreu i Shtetit.

Pasi nënvizoi rëndësinë e nënshkrimit të një Protokolli të Përbashkët mes Shqipërisë dhe Rajonit Kalabri, sipas atij ekzistues me Rajonin e Pulias, dhe atë të propozuar me Rajonin e Siçilisë, presidenti Meta theksoi domosdoshmërinë e vendosjes sa më parë të një linje direkte ajrore Tiranë-Kalabri, që do të kontribuojë për të shumëfishuar lidhjet mes arbëreshëve dhe shqiptarëve.

Kreu i Shtetit solli në vëmendje mësimin e arbërishtes në shkollë, në të gjitha trevat ku banojnë në Itali, në përputhje me aktualizimin e Ligjit italian nr. 482 “Për minorancat gjuhësore”, por dhe sipas nevojës së artikuluar nga Profesorët e Katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Cosenza.

Duke e konsideruar trashëgiminë kulturore arbëreshe “Moti i Madh”, si një pasuri të çmuar të Shqipërisë dhe Italisë, presidenti Meta theksoi se autoritetet e të dy vendeve duhet të dyfishojnë përpjekjet për përfshirjen e kësaj vlere të çmuar europiane dhe botërore në UNESCO.