AKTUALITET, 21 Prill 2022, 09:11

Mblidhet grupi parlamentar i PD-së, do të diskutohet për zgjedhjen e presidentit të ri

Mblidhet grupi parlamentar i PD-së, do të diskutohet për

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është mbledhur këtë mëngjes në selinë blu. Mbledhja është thirrur nga kreu i grupit, Enkelejd Alibeaj, para nisjes së seancës plenare në Kuvend.

Pritet që grupi të vendosë mbi qëndrimin që do të mbajnë për negociatat me maxhorancën lidhur me negociatat për zgjedhjen e presidentit të ri. Ditën e djeshme kjo mbledhje nuk u zhvillua për shkak të fatkeqësisë së deputetit Luçiano Boçi, i cili humbi babain.

Sakaq, pritet me interes se cili do të jetë qëndrimi i ish-kryeministrit Sali Berisha dhe mbështetësve të tij në Komisionin e Rithemelimit.

Berisha është shprehur më herët se nuk do të marrë pjesë në bisedimet për të zgjedhur kreun e shtetit, duke e cilësuar si farsë të kryeministrit Edi Rama.

Po ashtu pritet edhe qëndrimi që do të mbajnë edhe deputetët e tjerë. I pyetur më herët nëse do të marrë pjesë në tryezën e PS për presidentin, Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se kjo do të vendoset në grupin parlamentar.